OJQ-të: Gati tetë milionë njerëz në Sudanin e Jugut në rrezik nga uria akute

Gati tetë milionë njerëz në Sudanin e Jugut janë në rrezik nga uria akute, ndërsa konflikti dhe zhvendosjet e popullsisë po përkeqësojnë një krizë humanitare tashmë të rëndë, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara.
I publikuar të martën, raporti paralajmëron se 7.8 milionë njerëz në këtë vend të Afrikës do të përballen me nivele të larta të pasigurisë ushqimore në muajt e ardhshëm — që përbën rreth 56 për qind të popullsisë.
Organizata për Ushqim dhe Bujqësi, Programi Botëror i Ushqimit dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) kanë bërë thirrje për veprim të menjëhershëm nga komuniteti ndërkombëtar për të parandaluar atë që e përshkruajnë si një “katastrofë humanitare të pakthyeshme”.
Raporti thekson se numri i fëmijëve të moshës nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç që vuajnë nga kequshqyerja akute është rritur me 100 mijë gjatë gjashtë muajve të fundit, duke arritur në 2.2 milionë. Sipas vlerësimeve, rreth 700 mijë fëmijë janë në rrezik serioz për jetën.
Shumë shërbime ushqimore dhe shëndetësore në Sudanin e Jugut janë dëmtuar ose mbyllur për shkak të luftimeve të vazhdueshme, duke rritur numrin e personave në rrezik nga kequshqyerja akute. Ndërkohë, mungesat në furnizime dhe financimi i pamjaftueshëm kanë kufizuar qasjen në trajtime shpëtuese.
Kriza humanitare në Sudanin e Jugut — shteti më i ri në botë — po ushqehet nga konfliktet etnike, ndryshimet klimatike dhe përhapja e luftimeve nga Sudani fqinj, nga i cili u nda pas referendumit të vitit 2011.
Përkeqësimi i krizës ekonomike në vend ka përforcuar më tej situatën. Sudani i Jugut mbetet një nga vendet më të varfra në botë.
Në muajt e fundit, janë rritur frikërat se vendi mund të rikthehet në një luftë të plotë civile, më shumë se shtatë vite pas marrëveshjes së paqes në vitin 2018 që supozohej se i dha fund konfliktit që la pas afro 400 mijë viktima.
Përplasjet e ashpra ndërmjet ushtrisë shtetërore, Forcave të Mbrojtjes së Popullit të Sudanit të Jugut, dhe grupeve opozitare janë intensifikuar në muajt e fundit.
Tensionet burojnë nga rivaliteti i gjatë mes presidentit Salva Kiir Mayardit dhe zëvendëspresidentit të pezulluar Riek Machar, i cili aktualisht po gjykohet në Juba për akuza për vrasje, tradhti dhe krime kundër njerëzimit, të cilat ai i mohon. /Al Jazeera/



