Forumi Diplomatik në Antalia si shkas dhe epoka e rivalitetit

Shkruan: Ismail SINANI
Mbi 150 shtete morën pjesë, mbi 6400 pjesëmarrës, shumë presidentë, kryeministra, ministra, akademikë, intelektualë… Gjithnjë e më e qartë po bëhet se bota tashmë ka hyrë në një fazë të re transformimi… Këto ndryshime pritet të thellohen edhe më tej… Kështu do të përshkruhej me pak fjalë Forumi Diplomatik në Antalia, që u mbajt për tri ditë radhazi para 10 ditësh. E nëse bëjmë përpjekje për një elaborim pak më të gjatë e më të detajuar, atëherë gjërat ndryshojnë. S’do mend se perspektivat e secilit pjesëmarrës janë të ndryshme, por edhe në shkencat shoqërore gjithmonë ka një ujdi, Forumi tregoi se bota tashmë ka ndryshuar.
Shkojmë me radhë!
Se bota është në tranzicion, këtë nuk e vë më në pikëpyetje askush. Edhe skeptikët më të mëdhenj, edhe ata që ishin më konformistë, sot e kanë të qartë se historia po lëviz me hapa të shpejtë. Status quo-ja e shumëndërruar për oksidentocentrikët, ka marrë fund. Ndërsa ky event i madh në Antalia ishte pikërisht një pasqyrë e rendit të ri botëror. Ai nuk ishte thjesht takim diplomatik, por një tregues se rendi i vjetër ndërkombëtar është fragmentuar dhe se copëzat e reja duhet të gjejnë vend në “puzzlen” e re. Ata që e posedojnë “imagjinatën” më të thellë e më të mirë, që tash i rrokin detajet e “pikturës së re”. Ndaj, mund të thuhet se ndoshta edhe kjo ishte arsyeja që krerët e mbi 150 shteteve ishin mbledhur në atë qytet për ta diskutuar të ardhmen e botës dhe fatin e shteteve dhe gjeografisë nga vinin. Në shumë salla debatesh, në shumë panele, vërehej pluraliteti i zërave, nga Lindja, Jugu, por edhe nga Perëndimi. Ndërsa ideja themelore ishte një: s’ka më një qendër të vetme vendimmarrjeje.
Pa dyshim këtu ishte dhe binte në sy edhe roli i Turqisë si ndërmjetësuese. Zaten ky shtet, si nga e kaluara ashtu edhe nga pozicioni gjeografik, e sidomos në dy dekadat e fundit për shkak të forcimit enorm ekonomik dhe ushtarak, e ka imponuar veten si aktor kyç në krijimin e këtyre balancave të reja. Pozicioni i saj si faktor stabiliteti midis NATO-s dhe botës islame; midis Perëndimit dhe Rusisë; midis SHBA-së dhe Iranit; dhe, sidomos, pozicioni i saj i gardianit në kauzën palestineze, i ka detyruar të gjithë ta kuptojnë se pa “dorën” e saj, nuk mund të pretendohet në zgjidhjen e cilitdo konflikt ose mosmarrëveshjeje në “binomet e sipërpërmendura” gjeopolitike. Doktrina e zhvilluar nga Presidenti Erdogan dhe e mbështetur fuqishëm nga dyshja Fidan-Kallën, sot ka krijuar një auerolë të fuqishme për shtetin që prek fizikisht Europën dhe Azinë dhe ka impakt në krijimin e balancave në gjithë globin.
E, megjithëkëtë, debatet që u zhvilluan në këtë Forum, krijojnë hapësirë për të bërë një analizë më teorike: a po shkon bota nga globalizimi i shumëdëshiruar drejt fragmentimit?; a po shkojmë drejt një bote me “blloqe”?; a po zëvendësohet bashkëpunimi me konkurrencë dhe a ishte Forumi tregues se dialogu vazhdon, por se besimi ka rënë përtokë? Përgjigjja e këtyre pyetje, pa dyshim se është PO. Është e rëndë, por e vërtetë. Pretendimi për të kundërtën na bën miopë, njerëz që nuk duan ta shohin të vërtetën. Por, kjo jo detyrimisht është diçka e keqe, pasi që historia e njerëzimit në etapa të ndryshme njeh riformatime të llojllojshme. Kur i hedhim një sy historisë dymijëvjeçare, do të shohim se varësisht nga zhvillimet dhe zbulimet që kanë ndodhur në botë, kanë ndryshuar edhe konceptet, edhe sistemet edhe politikat edhe gjeopolitikat dhe aleancat. Po kështu historia na mëson se kurrë, ama bash kurrë, asnjë perandori, asnjë fuqi nuk ka mundur të jetojë në “përjetësi”. Madje, përjetësia në kuptimin etatist, më shumë i ngjan mitit që përcillet brez pas brezi që nuk ka asnjë taban shkencor.
Natyrisht skeptikët mund të pretendojnë se Forumi si i tillë dhe forumet si koncept nuk janë tregues realë, pasi që “vendimet e rënda” merren nëpër zyra tjera, aty ku “priten pazaret”. Madje, mund të ketë edhe të atillë që mund të pretendojnë se forumet nuk prodhojnë vendime, por vetëm se narrativë dhe se “diplomacia e kamerave” nuk është ajo që i jep kahe botës. Kjo është e vërtetë. Por, edhe e vërteta tjetër na tregon se edhe “diplomacia e zyrave” domosdoshmërisht buron nga debati i gjerë. Pra, pa i pasur konturet e trasha, nuk mund të arrihet të vendimmarrja konkrete.
Pas gjithë kësaj, nëse do të duhej të bëhej një përmbledhje edhe më konkrete, duhet thënë se bota tashmë po kalon në një etapë të re shumë më dinamike.
Burimet energjetike, kanalet e transportit të burimeve energjetike, teknologjia ushtarake, inteligjenca artificiale, fuqia njerëzore, nataliteti, kohezioni i brendshëm shtetëror, familja… janë bazamenti për një shtet që dëshiron të ketë rol në arenën e re gjeopolitike. Rendi i ri nuk i duron më ata që janë pa ind; nuk duron liderë që nuk janë të aftë të marrin vendime të rënda; nuk duron liderë që nuk janë të aftë ta mbrojnë interesin e shtetit dhe që nuk kanë vizion për botën e re; nuk duron liderë që jetojnë në ëndrrat e lirisë së pakufishme që krijojnë anarki shoqërore; nuk duron shtete që mendojnë se mund ta zhvatin tjetrin siç ka ndodhur nga përhapja e konceptit kolonial e këndej, e sidomos pas procesit të zhvillimit industrial….
Çfarë i bie e gjithë kjo? Kjo tregon se në botë tashmë ka përfunduar qasja unipolare. Kjo tregon se edhe ata që dikur pretendonin se janë super të fuqishëm, nuk mund të ngadhënjejnë ndaj një fuqie rajonale. Teknologjia ushtarake e viteve të nëntëdhjeta, sa do që të ketë glamur holivudian, po shihet se është e papërdorshme në rrethanat e reja. Sot fitojnë të mençurit dhe të vendosurit. Perëndimi, për fat të keq, në këto 200 vjetët e fundit ka zhvilluar qasje përbuzëse ndaj pjesës tjetër të botës. Pretendimi se çdoherë do ta kontrollojë njerëzimin tashmë ka marrë fund. Tashmë përfundimisht e ka humbur pjesën më të madhe të Azisë, së shpejti do të humbasë edhe Afrikën.
Brukseli, por edhe Uashingtoni me retorikën e Trampit, nuk po arrijnë ta shohin të vërtetën në sy. Zërat e të mençurve në këtë hemisferë tashmë po i bien alarmit se nuk shkon më siç ka shkuar deri më tani. Por, për ta dëgjuar këtë alarm duhet pasur veshë. Burokracia konformiste asnjëherë nuk i dëgjon, pasi që në subkoshiencë e ka komoditetin.
Lufta kundër Iranit, edhe pse është herët të flitet, ishte dhe është mësim për të gjithë. Ishte mësim edhe për ata që kishin menduar se kanë mbrojtje të përhershme dhe kishin besuar në parajsë tokësore me mbrojtje të huaj. Kjo mund të shërbejë si mësim edhe për Ballkanin, e sidomos për neve shqiptarëve, pasi që ne, si Ballkan, në rrethana më të ndërlikuara, mund të mos jemi as subjekt e as objekt i politikave globale. E nëse nuk jemi as njëra e as tjetra, nuk po dua të flas më shumë se çfarë mund të ngjajë!
Dhe, krejt në fund, shteti nikoqir nuk kishte shkop magjik për t’i zgjidhur krizat në Ukrainë, Gaza, Iran, Lindje të Mesme, krizën energjetike dhe krijimin e korridoreve tregtare. Por, ajo që e bëri ishte apeli për të hapur një kapitull të ri sa nuk është bërë shumë vonë. Shteti nikoqir, Turqia, i tregoi botës se nuk është mirë të luhet kaq shumë me zjarr. Si urë lidhëse mes qytetërimeve, i ofroi botës dialog, por njëkohësisht duke ia bërë me dije gjithkujt se po hyjmë në epokën e rivalitetit të ri.



