Hoxha pas takimit me Mexhitin: Nuk ka tymnajë që hyn mes nesh!

Ministri për Punët e Jashtme në Shqipëri, Ferit Hoxha mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me njërin nga kryetarët e VLEN, Izet Mexhiti, pas takimit që patën në Tiranë.
“Ne jemi pjesë e popullit shqiptar, Shqipëria ka obligim edhe për shqiptarët jashtë kufijve”, u shpreh Mexhiti pas takimit ku kanë diskutuar për raportin mes dy vendeve dhe projektet e përbashkëta.
“Shqiptarët në RMV kanë nevojë për institucionet e shtetit shqiptar”, ishte apeli i tij nga Tirana.
“Maqedonia lëviz në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, drejt avancimit të çështjes shqiptare. Jemi krah për krah edhe me integrimin europian. Iniciativat janë të shumta, edhe në nivel lokal”, deklaroi ai.
“Nuk ka tymnajë që hyn mes nesh”, deklaroi më tej ministri Hoxha duke hedhur poshtë çdo aludim të krijuar pas mesazheve që janë publikuar së fundmi ku pretendohen komunikime të tij me stafin, me një gjuhë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoni.
“Unë i kam bërë të gjitha sqarimet e mia dhe do doja të përdorja një shprehje: U ngrit kjo tymnajë dhe u pamë! Jam i hapur për të takuar në çdo kohë e rrethanë, qoftë kur biem dakord, qoftë kur kemi gjëra për të biseduar, edhe nëse nuk biem dakord! Nuk ka asnjë lloj interpretimi që vlen mbi atë që duam të ndërtojmë”, nënvizoi Hoxha.
Shtoi se takimet do jenë akoma më të shpeshta dhe se “keqkuptimet ekzistojnë si në çdo familje”.
Një ditë më parë, MEPJ doli me reagim zyrtar sa i takon këtyre mesazheve.
“Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend. Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre. Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme”, thuhej në reagim.

