Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, merr pjesë në konferencën ndërkombëtare në Lubjanë, thekson rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Lubjanë, Slloveni, me temë “Ballkani Perëndimor në vorbullën e gjeopolitikës së re të sigurisë”, e organizuar nga Nizami Ganjavi International Center.

Në adresimin e tij, Gashi theksoi se integrimi europian i rajonit paraqet një domosdoshmëri strategjike për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit europian. Ai nënvizoi rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, duke përmendur kompromiset e vështira dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj reformave, si dëshmi e qartë e orientimit euroatlantik të vendit.
Gashi u shpreh i bindur se procesi i zgjerimit duhet të shihet si një kontratë besimi që kërkon përgjegjësi dhe guxim nga të dyja palët, duke theksuar se Ballkani Perëndimor nuk është periferi, por pjesë integrale e Europës që synon të plotësojë vetveten.
Në këtë drejtim, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, riafirmoi qëndrimin se integrimi i gjashtë vendeve të rajonit duhet të trajtohet si një proces i përbashkët, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe perspektivës së përbashkët europiane.


