Irani ka mbledhur “të ardhurat e para” nga tarifat për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit

Zv/kryetari i Parlamentit iranian, Hamidreza Haji Babaei ka bërë të ditur se Irani ka mbledhur të ardhurat e para nga tarifat e vendosura për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme në botë për furnizimet globale me energji, transmeton Anadolu.
“Të ardhurat e para nga tarifat e tranzitit në Ngushticën e Hormuzit janë depozituar në llogarinë e Bankës Qendrore”, tha ai në deklarata të publikuara nga agjencia gjysmëzyrtare Tasnim News.
Gjithashtu edhe ligjvënësi Alireza Salimi tha për Tasnim News se Irani ka filluar të mbledhë pagesa nga anijet që kalojnë ngushticën, duke iu referuar burimeve që i cilësoi si “të besueshme”. Sipas agjencisë, shuma e tarifave ndryshon në varësi të llojit dhe vëllimit të ngarkesës si dhe nivelit të rrezikut të çdo anijeje, ndërsa Irani përcakton tarifat dhe mekanizmat e mbledhjes.
Megjithatë, zv/kryetari i parlamentit dhe ligjvënësi nuk dhanë detaje për numrin e anijeve që kanë paguar.
Më 8 prill, gazeta amerikane “Wall Street Journal” raportoi se Teherani po forcon kontrollin mbi një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, duke urdhëruar anijet të organizojnë paraprakisht pagesat e tarifave me Gardën Revolucionare Islamike dhe të paguajnë në kriptomonedha ose juan kinez.
Më 19 mars, agjencia gjysmëzyrtare ISNA raportoi se Irani po shqyrton legjislacion që do të detyronte vendet të paguajnë tarifa për kalimin e anijeve në këtë korridor detar strategjik.
Transporti përmes Ngushticës së Hormuzit është ndërprerë ndjeshëm që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt, duke tronditur tregjet globale të energjisë dhe duke rritur frikën për dëme ekonomike afatgjata.
Të martën, presidenti amerikan, Donald Trump zgjati armëpushimin me Iranin pas një kërkese nga Pakistani, duke theksuar se do të mbetet në fuqi derisa Teherani të paraqesë atë që ai e quajti një “propozim të unifikuar”.



