Mickoski: Në 20 muajt e fundit Drejtoria e doganave ka shënuar rezultatet më të mira të ekzistimit të saj

Në 20 muajt e fundit, Drejtoria e doganave ka shënuar rezultatet më të mira të ekzistimit të saj. Deri më tani janë arritur të ardhurat më të larta që është një tregues i qartë se institucioni funksionon në mënyrë më efikase, më të organizuar dhe me përgjegjësi më të madhe, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në aktivitetin e sotëm në Sallën e filarmonisë me rastin e shënimit të 34-vjetorit të Drejtorisë së doganave.

“Sot shënojmë 34 vjet të ekzistencës së Drejtorisë së doganave – një institucion që ka rol kyç në funksionimin e shtetit, në mbrojtjen e ekonomisë dhe sigurimin e të ardhurave të qëndrueshme për buxhetin. Ky përvjetor është një mundësi për të reflektuar mbi atë që është arritur, por edhe për të theksuar edhe më shumë rezultatet që kemi sot. Në 20 muajt e kaluar, Drejtoria e doganave ka shënuar rezultatet më të mira në ekzistimin e saj. Deri më tani janë arritur të ardhurat më të larta, që është një tregues i qartë se institucioni funksionon në mënyrë më efikase, më të organizuar dhe me përgjegjësi më të madhe”, theksoi kryeministri.

Ai shtoi se me rëndësi është fakti që pragu prej 12 miliardë denarë të ardhura në një muaj është tejkaluar për herë të parë. Ky është një rezultat që nuk vjen rastësisht, theksoi kryeministri, por siç shton, “është produkt i një qasje sistemike, kontrollit të përforcuar dhe koordinimit më të mirë”.

“Këto rezultate janë pjesë e përpjekjeve më të gjera të Qeverisë e cila ka punuar për 20 muaj për të vendosur rend në institucione, për të zvogëluar ekonominë gri dhe për të rritur efikasitetin e mbledhjes së të ardhurave. Kur e morëm përgjegjësinë, nuk trashëguam sistem që funksionon pa probleme. Përkundrazi – gjetëm një gjendje kaosi, procese të çrregulluara dhe një strukturë institucionale të dobësuar seriozisht. Një sistem që me vite është lënë pas dore dhe i rrënuar”, deklaroi kryeministri.

Mickoski tha se sot me të drejtë mund të thuhet se ajo fazë është tejkaluar.

“Normalizimi ka përfunduar. Është vendosur rend, janë vendosur rregulla dhe institucioni po funksionon përsëri siç duhet – në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Me masa konkrete, me digjitalizimin e proceseve dhe me një vendosmëri të qartë për të luftuar korrupsionin, kemi krijuar një sistem që prodhon rezultate. Drejtoria e doganës është një nga shembujt më të dukshëm të kësaj”, theksoi Mickoski.

Ai falënderoi drejtorin e Drejtorisë së doganave, Boban Nikollovski, për siç theksoi, udhëheqjen, përkushtimin dhe rezultatet e arritura nga institucioni nën udhëheqjen e tij.

“Njëkohësisht, është e rëndësishme të theksohet koordinimi i shkëlqyer dhe puna e përbashkët me ministren e Financave, Gordana Koçoska-Dimitrieska. Ai partneritet, ajo sinergji është një nga faktorët kryesor për rezultatet e arritura. Kur institucionet punojnë si ekip, kur ka një vizion të përbashkët dhe një qëllim të qartë – rezultatet nuk mungojnë”, theksoi kryeministri.

Mickoski theksoi se qëllimi është të vazhdohet në këtë drejtim – duke përmirësuar më tej kapacitetet, duke modernizuar sistemet dhe duke krijuar kushte për shërbim më të shpejtë dhe më efikas për ekonominë, por edhe me një qasje më të fortë për parandalimin e aktiviteteve jolegale.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button