Arabia Saudite i bën presion SHBA-së të heqe bllokadën në Ngushticën e Hormuzit

Arabia Saudite po i bën presion SHBA-së që të ndërpresë bllokadën e Ngushticës së Hormuzit dhe të kthehet në bisedime me Iranin, raportoi sot “Wall Street Journal”, duke cituar zyrtarë rajonalë, transmeton Anadolu.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi bllokadë detare të Ngushticës së Hormuzit, e cila hyri në fuqi të hënën.
Bllokada erdhi pasi Washingtoni dhe Teherani nuk arritën marrëveshje në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, në fundjavë gjatë bisedimeve që ishin pjesë e përpjekjeve më të gjera për t’i dhënë fund ofensivës së SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit që ka vrarë më shumë se 1.400 njerëz që nga 28 shkurti. Bisedimet pasuan një armëpushim dyjavor.
Arabia Saudite ka frikë se bllokada e Trumpit mund ta çojë Iranin në përshkallëzim dhe të prishë rrugë të tjera të rëndësishme të transportit detar. Irani mund të hakmerret duke mbyllur Bab al-Mandebin, një pikë bllokimi në Detin e Kuq, thelbësore për eksportet e mbetura të naftës së Mbretërisë, theksohet më tej.
“Shtetet e Gjirit nuk duan që lufta të përfundojë me Iranin në kontroll të Ngushticës së Hormuzit, shpëtimit të tyre ekonomik. Por, disa, përfshirë Arabinë Saudite, po i bëjnë presion SHBA-së që ta zgjidhë çështjen në tryezën e negociatave dhe po përpiqen të rifillojnë bisedimet”, shtoi raporti.
Në lajm thuhet se pavarësisht “vijës së ashpër publike” nga të dyja palët, SHBA-ja dhe Irani “po angazhohen në mënyrë aktive me ndërmjetës dhe janë të hapur për bisedime nëse secila tregon fleksibilitet të mjaftueshëm”.
