Kasami: Dëgjova që Ali Ahmeti një letër e kishte dërguar edhe në Hënë

“Unë dëgjova që një letër të tillë e ka nisur edhe për në Hënë”. Ishte kjo përgjigja ironike e kryetarit të Tetovës, njëherësh njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami ndaj letrës piblike të Ali Ahmetit dërguar ndërkombëtarëve në të cilën ka shprehur shqetësime për zhvillimet e fundit politike në vend, të cilat sipas tij mund të cenojnë arritjet e deritanishme.
“Unë dëgjova që një letër e ka nisur edhe për në Hënë në misionin Artemis, kështuqë Ali Ahmeti ka mbetur që të kundërshtojë vetveten. Për 20 vite dështim, sot është zgjuar nga gjumi. Mirë që është zgjuar nga gjumi por duhet t’i tregojë dikush që ende është në jermi dhe nuk është në realitet”, deklaroi Kasami.
Kujtojmë se në letrën e dërguar ndërkombëtarëve, sipas Ahmeti shqetësim të veçantë paraqesin heqja e mekanizmit të balancuesit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve, sfidat në funksionimin e institucioneve që zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe iniciativat për minimin dhe kontestimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.



