NTP “Shkup” në vitin 2025 me humbje prej 550.000 eurosh, “Parkingu i Qytetit” me fitim prej gjysmë milioni eurosh

Ndërmarrja e Transportit Publik (NTP) “Shkup” e mbylli vitin e kaluar me humbje prej 33.540.089 denarë (550 milionë euro), pavarësisht se mori 13.5 milionë euro subvencione nga buxheti i Qytetit të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë vitit 2026, themeluesi duhet të gjejë mënyrë për të mbuluar humbjen, duke pasur parasysh se rezervat ligjore janë shteruar”, thuhet në vendimin e Bordit të Drejtorëve të kompanisë, i cili është pikë në rendin e ditës të seancës së Këshillit të Qytetit të Shkupit që do të mbahet më 7 prill.

NP “Parqe dhe Gjelbërim” gjithashtu po punon me humbje. Kjo ndërmarrje e mbylli vitin 2025 me humbje prej 37.700.706 denarë (615.000 euro).

Ndërmarrjet publike “Parkingu i Qytetit” dhe “Drislla” po punojnë me fitim. “Parkingu i Qytetit” realizoi fitim prej gjysmë milioni eurosh në vitin 2025, ndërsa deponia “Drislla” është 45.000 euro në plus.

Nga buxheti i Qytetit për vitin 2026, janë ndarë rreth 18.5 milionë euro për subvencionimin e ndërmarrjeve dhe institucioneve, nga të cilat shuma më e madhe, 15 milionë euro, është për NTP “Shkup”. Kjo është një shumë rekord e subvencioneve që NTP kanë marrë nga Qyteti. “Higjiena Komunale” do të marrë 60 milionë denarë, “Parqet dhe Gjelbërimi” 80 milionë denarë, “Drislla” 20 milionë denarë, “Lajka” 15 milionë denarë dhe 23 milionë denarë për “Rrugë dhe rrugica”.

Kujtojmë se në shkurt Qendra për Komunikime Civile publikoi hulumtimin dhe bazën e të dhënave për kapacitetet e Ndërmarrja e Transportit Publik Shkup. Të dhënat tregojnë rënie drastike të numrit të pasagjerëve – nga 52 milionë në vit në 2015 në vetëm 22 milionë aktualisht. Në të njëjtën kohë, është zvogëluar edhe numri i autobusëve në funksion, ndërsa mosha mesatare e flotës është rritur në 13.3 vjet. Mbi 80% e autobusëve janë të prodhuesve Yutong dhe LAZ, ndërsa vetëm 10% përmbushin standardin Euro 6.

Sipas hulumtimit, transporti publik në Shkup po përballet me rënie të vazhdueshme të kapaciteteve dhe shërbimeve. Në vetëm dhjetë vjet, numri i pasagjerëve të transportuar nga autobusët e NTP Shkup ka rënë për 30 milionë në vit – nga 52 milionë në vitin 2015 në 22 milionë në vitin 2026.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button