Igli Hasani takon Bujar Osmanin në Shkup, flitet për integrimet

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka zhvilluar sot një takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, i cili ndodhet në vizitën e parë zyrtare në vend pas marrjes së detyrës.
Në fokus të takimit ishin marrëdhëniet dypalëshe, situata aktuale politike në rajon, aleanca e NATO-s, si dhe perspektivat evropiane të dy vendeve, të cilave iu kushtua një vëmendje e veçantë.
“Të dy vendet kanë një vit që zhvillojnë në mënyrë aktive negociatat, me të cilat kanë përfunduar me sukses procesin e shqyrtimit, duke marrë nota të mira, do të thosha të shkëlqyera. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme të hapin kllasterët dhe kapitujt dhe kjo nuk duhet të vonohet; përkundrazi, të dy vendet duhet të vazhdojnë negociatat dhe të përshpejtojnë integrimin e tyre edhe para anëtarësimit të plotë”, theksoi Osmani.
Në takim u hapën temat e bashkëpunimit rajonal, iniciativat e shumta rajonale dhe mbështetja reciproke në organizatat multilaterale në përgjithësi.
U theksua se të dy vendet kishin një rol të rëndësishëm shumëpalësh vitin e kaluar: Maqedonia e Veriut si kryesuese e OSBE-së dhe Shqipëria si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.



