Kaltrina Zekolli: Lidhja e autostradës me Shqipërinë do të realizohet me patjetër

Zëvendësministrja e Transportit ka informuar opinionin publik lidhur me zhvillimet më të fundit për Korridorin 8, duke e cilësuar atë si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për vendin dhe rajonin.
Në takimin e fundit ndërmjet Ministrit Nikoloski dhe përfaqësuesve të lartë të UNESCO-s, janë paraqitur qartë vërejtjet për projektin aktual, të cilin qeveria e ka trashëguar. Zëvendësministrja ka theksuar se është thelbësore që të mos rrezikohet në asnjë moment statusi që gëzon vendi ynë. Ndërkohë që shumë projekte kishin mbetur të palëvizura për dekada, ajo ka potencuar se gjatë qeverisjes së tyre është arritur vënia në lëvizje e tyre dhe sigurimi i një progresi të dukshëm.
Ajo ka siguruar se lidhja e autostradës Strugë – Qafë Thanë do të realizohet me patjetër.
Aktualisht po zgjidhet modaliteti më i përshtatshëm në koordinim me UNESCO-n, në mënyrë që projekti të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Po ashtu, Ministria është drejt përfundimit të punimeve për rikonstruksionin dhe zgjerimin e pikës kufitare Qafë Thanë. Lidhja infrastrukturore me Republikën e Shqipërisë mbetet prioritet strategjik, pavarësisht zgjidhjes përfundimtare teknike që do të përzgjidhet.



