UNICEF: Çdo ditë zhvendosen 19 mijë fëmijë në Liban për shkak të sulmeve izraelite

Një mesatare prej 19 mijë fëmijësh janë zhvendosur çdo ditë në Liban gjatë tre javëve të fundit për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite, tha sot një zyrtar i UNICEF-it, transmeton Anadolu.
“Vetëm në tre javë, më shumë se 370 mijë fëmijë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Liban, mesatarisht të paktën 19 mijë vajza dhe djem të zhvendosur çdo ditë”, tha Marcoluigi Corsi, përfaqësues i UNICEF-it në Liban, gjatë një takimi informues të OKB-së në Gjenevë.
Për të kuptuar shkallën shpjegoi ai, kjo është ekuivalente me “qindra autobusë shkollorë të mbushur me fëmijë që ikin për të shpëtuar jetën e tyre çdo 24 orë”.
Corsi tha se kriza ka zhvendosur rreth 20 për qind të popullsisë së Libanit në më pak se një muaj, me më shumë se një milion njerëz të zhvendosur. “Shpejtësia dhe shkalla janë marramendëse”, tha ai duke përshkruar një zhvendosje masive të papritur dhe kaotike që po shkatërron familjet dhe po zbraz komunitete të tëra.
Ai paralajmëroi për pasoja të rënda psikologjike për fëmijët e kapur në cikle të përsëritura dhune, duke thënë se lodhja mendore dhe emocionale që i rëndojnë është shkatërruese.
“Ky cikël i pamëshirshëm bombardimi dhe zhvendosjeje po i përkeqëson rëndë plagët e tyre psikologjike, duke ngulitur frikë të thellë dhe duke kërcënuar me dëmtime të thella emocionale afatgjatë”, tha Corsi.
Kushtet e përkeqësuara të jetesës po i shtohen numrit të viktimave, njoftoi ai duke vënë në dukje se më shumë se 135 mijë persona të zhvendosur që strehohen në mbi 660 vende, shumë prej të cilave të mbipopulluara dhe të pasigurta. Ndër të tjera ai shtoi se të paktën 121 fëmijë janë vrarë dhe 395 të plagosur.
“Kostoja njerëzore e këtij përshkallëzimi është tronditëse”, tha Corsi, i cili shtoi se shërbimet bazë po shemben, me sistemet e ujit të dëmtuara dhe mbi 435 shkolla që tani janë ripërdorur si strehimore, duke ndërprerë arsimin për më shumë se 115 mijë nxënës.
“Fëmijët po paguajnë çmimin më të lartë për këtë konflikt”, tha ai duke bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe akses urgjent humanitar. “Ata duhet të ndalojnë së vrapuari dhe të fillojnë të jetojnë siç duhet të jetojnë fëmijët”, deklaroi Corsi.



