Aliu: Jemi të fokusuar në përmirësimin e kushteve në repartet pediatrike

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, u drejtua në hapjen e shkollës së katërt ballkanike të pediatërve – një ngjarje që përfaqëson një platformë të vërtetë për dije, bashkëpunim dhe zhvillim profesional.
“Pediatria, si një nga degët më humane dhe më të përgjegjshme të mjekësisë, ka një rol kyç në ndërtimin e gjeneratave të shëndetshme. Kujdesi për më të vegjlit nuk është vetëm detyrim mjekësor, por edhe përgjegjësi shoqërore me prioritet të lartë. Pikërisht për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht bën përpjekje për përmirësimin e kujdesit shëndetësor pediatrik. Në këtë drejtim, jemi të fokusuar në përmirësimin e kushteve në repartet pediatrike, modernizimin përmes furnizimit me pajisje të reja mjekësore, si dhe forcimin e burimeve njerëzore. Jemi të vetëdijshëm se pa staf profesional dhe të motivuar nuk mund të ketë sistem shëndetësor të qëndrueshëm. Si pjesë e këtyre përpjekjeve, përmes programit të specializimeve dhe subspecializimeve, gjatë periudhës së kaluar kemi ndërmarrë hapa konkretë për plotësimin e stafit. Vitin e kaluar janë miratuar 17 specializime në pediatri për institucionet publike shëndetësore, ndërsa shtesë janë punësuar edhe 15 specializantë privatë, një pjesë e të cilëve janë angazhuar në Klinikën Universitare të Pediatrisë. Me këtë kontribuojmë drejtpërdrejt në uljen e mungesave dhe forcimin e sistemit”, theksoi ministri Aliu në fjalimin e tij.
Ai shtoi se kjo shkollë ka rëndësi të veçantë, pasi mundëson shkëmbimin e përvojave dhe njohurive ndërmjet ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, ndërsa prania e ligjëruesve eminentë nga vendi dhe nga bota i jep vlerë shtesë dhe dëshmon se vendi është pjesë e rrjedhave bashkëkohore në mjekësi.



