Irani: Eksportet e naftës arrijnë në 1.5 milionë fuçi në ditë, pavarësisht luftës

Eksportet e naftës së Iranit kanë arritur rreth 1.5 milionë fuçi në ditë, pavarësisht ndikimit të luftës së vazhdueshme që përfshin SHBA-në dhe Izraelin, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve Tasnim, vëllimet ditore të eksporteve tejkaluan 1.5 milionë fuçi gjatë muajit të Ramazanit, duke shënuar rritje prej rreth 50 për qind krahasuar me nivelet e mëparshme.
Raporti tha se Irani ka shitur sasi më të mëdha nafte me çmime më afër standardeve globale, duke rritur drejtpërdrejtë të ardhurat nga nafta.
Rritja vjen derisa tregjet globale të energjisë po përjetojnë paqëndrueshmëri të theksuar, e lidhur me luftën në vazhdim dhe vendimin e Iranit për të kufizuar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më kritike të tranzitit të naftës në botë.
Zakonisht, rreth 20 milionë fuçi naftë kalojnë çdo ditë përmes kësaj ngushtice dhe kufizimet kanë rritur kostot e transportit dhe sigurimit, duke kontribuar në rritjen e çmimeve të naftës dhe presione inflacioniste në mbarë botën.
“Asharq Business” raporton se Irani ka gjeneruar qindra miliona dollarë të ardhura shtesë që nga shpërthimi i luftës, duke përfituar nga çmimet më të larta të naftës dhe qasja e kufizuar në ngushticë për disa eksportues.
Investitorët mbeten të shqetësuar për pasigurinë në rritje në tregjet globale, ndërsa objektet energjetike në vendet e Gjirit dhe në Iran vazhdojnë të përballen me rreziqe sulmesh, si dhe nga frika se infrastruktura energjetike iraniane mund të bëhet objektiv i sulmeve të mundshme nga SHBA-ja ose Izraeli, gjë që mund të ketë pasoja të mëdha ekonomike dhe mjedisore.
Operacionet ushtarake midis SHBA-së dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër kanë vazhduar që nga 28 shkurti, duke rritur presionin mbi tregjet globale të energjisë.



