Bayraktar: Turqia ruan furnizim të sigurt me energji pavarësisht tensioneve në Lindjen e Mesme

Ministri turk i Energjtikës dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar ka deklaruar se Turqia nuk po përballet me probleme në furnizimin me energji pavarësisht tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë në deskun e editorëve të Anadolu në kryeqytetin Ankara, ministri turk tha se ofensiva e përbashkët e ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit nuk ka ndikuar në sigurinë e furnizimit me energji të vendit.
“Po përballemi me një krizë që mund të ketë ndikime në ekonominë globale”, tha Bayraktar, duke e përshkruar situatën gjeopolitike si potencialisht më të rëndë se krizat e fundit globale nëse ajo vazhdon.
Bayraktari theksoi se bota ka përjetuar tashmë goditje të mëdha vitet e fundit, përfshirë pandeminë COVID-19 dhe luftën Rusi-Ukrainë, të cilat çuan në ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit, sfida logjistike, rritje të çmimeve të energjisë dhe mallrave si dhe inflacion të lartë.
“Megjithatë, kjo krizë mund të jetë edhe më shkatërruese nëse vazhdon me një afat të mesëm dhe të gjatë”, paralajmëroi ai duke shtuar se një konflikt i zgjatur mund të ndikojë në të gjithë ekonominë globale.
Ai shprehu shpresën se konflikti do të zgjidhet së shpejti për të kufizuar ndikimin global.
Duke theksuar rolin qendror të energjisë në këtë krizë, Bayraktar tha se Turqia aktualisht mbetet në një “pozicion të sigurt” sa i përket furnizimit me energji, falë infrastrukturës së fortë dhe politikave të diversifikimit. Ai shpjegoi se siguria energjetike përfshin furnizimin, kërkesën dhe transmetimin si dhe shtoi se situata aktuale tregon për një problem në rritje nga ana e furnizimit në nivel global.
“Nuk ka ende një krizë të dukshme nga ana e kërkesës, por ka një kufizim serioz të furnizimit”, tha Bayraktar, duke përmendur ndërprerjet në rrugët kryesore të transitit energjetik në rajon. Ai theksoi se rreth 20 për qind e rrjedhave globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) kalojnë zakonisht përmes Ngushticës së Hormuzit, duke shtuar se ndërprerjet aktuale po krijojnë një sfidë të madhe për furnizimin.
Megjithatë, Bayraktar tha se ekspozimi i Turqisë ndaj rajonit mbetet i kufizuar. “Varësia jonë nga ky rajon është në një nivel të ulët”, theksoi ai duke shtuar se Arabia Saudite dhe Iraku përbëjnë rreth 15 për qind të furnizimit me naftë të Türkiyes ndërsa varësia e përgjithshme nga rajoni është rreth 10 për qind.
Ai shtoi se Turqia nuk importon gaz natyror nga ky rajon dhe ka diversifikuar furnizuesit e saj të LNG-së, përfshirë marrëveshjen e fundit me ShBA-në.
