S’lejoi jurisprudencën në shqip, Fillkovi merr vërejtje nga Inspektorati i Gjuhëve

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve i ka shqiptuar masë “Vërejtje” Ministrisë së Drejtësisë dhe ministrit Igor Fillkov, pasi pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues, nuk mundësojnë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Siç mëson ekskluzivisht Alsat, inspektorët të cilët ishin në mbikëqyrje të jashtëzakonshme më 17 shkurt, kanë konstatuar shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe amendamentit 5 të Kushtetutës, në të gjitha fazat e organizimit dhe zbatimit të provimit të jurisprudencës. Sipas informatave të Alsat, Fillkov obligohet që të veprojë në gjashtë pika, ku inspektorët kanë gjetur parregullsi. Disa menjëherë duhet t’i përmirësojë, ndërsa për disa të tjera ka afat prej 30 ditësh.

  • E para – Rregullorja që rregullon në detaje procedurën e dhënies së provimit të jurisprudencës, mënyrën e zbatimit, si dhe të drejtat dhe detyrat e kandidatëve dhe të organeve kompetente dhe Programi për dhënien e provimit të jurisprudencës janë vetëm në maqedonisht. Brenda 30 ditësh, Ministria duhet t’i përgatisë dhe publikojë në Gazetën Zyrtare edhe në shqip.
  • E dyta – Kërkesa për dhënien e provimit të jurisprudencës është vetëm në maqedonisht, ndërsa në mbikëqyrjen e rregullt në vitin 2023 e njëjta kërkesë ishte edhe dygjuhëshe. Brenda 30 ditësh, Ministria duhet ta përgatisë edhe në shqip formularin, gjegjësisht kërkesën e këtillë.
  • E treta – Për ditën, kohën dhe vendin e zhvillimit të provimit, kandidatët nëpërmjet ueb-faqes së Ministrisë së Drejtësisë, njoftohen vetëm në gjuhën maqedonase. Brenda 30 ditësh, Ministria duhet t’i publikojë njoftimet edhe në gjuhën shqipe.
  • E katërta – Dhënia e provimit me shkrim dhe gojë mundësohet vetëm në maqedonisht. Inspektorati urdhëron që provimi të mbahet në shqip, që nga dita kur Ministria e merr aktvendimin.
  • E pesta – Vetëm në maqedonisht janë edhe procesverbalet për zhvillimin e provimit të jurisprudencës. Ministria obligohet që të njëjtat t’i përgatisë edhe në shqip, sapo ta marrë aktvendimin.
  • E gjashta – Inspektorët kanë konstatuar se Ministria e Drejtësisë pavarësisht obligimit nuk e ka harmonizuar Ligjin për Provimin e Jurisprudencës me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Brenda 30 ditësh, obligohet ta harmonizojë. Nëse nuk harmonizohet ligji brenda afatit, Ministria e Drejtësisë është e detyruar të zbatojë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Praktikisht, me këtë hidhet poshtë teza e Ministrisë së Drejtësisë që nuk mund të mbahet provimi i jurisprudencës në shqip, pasi nuk e lejon ligji. Mundësimi i dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është detyrim kushtetues dhe ligjor i Ministrisë së Drejtësisë dhe jo e drejtë diskrecionale e ministrit të Drejtësisë, konstatojnë inspektorët. Pas mbarimit të afatit, inspektorët do të shkojnë sërish në Ministrinë e Drejtësisë për kontroll. Nëse, Fillkov  nuk i ka përmirësuar parregullsitë, Inspektorati do të hapë procedurë kundërvajtëse në Gjykatë, me rekomandim për gjobitje. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button