Ekspertja e OKB-së: Izraeli po torturon sistematikisht palestinezët në paraburgim

Një eksperte e Kombeve të Bashkuara thotë se Izraeli po torturon sistematikisht palestinezët në një shkallë “që sugjeron hakmarrje kolektive dhe qëllim shkatërrues”.
Në një raport të publikuar të premten, Francesca Albanese, raportuese speciale e OKB-së për situatën e të drejtave në territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967, tha se që nga 7 tetori 2023, palestinezët në paraburgim “janë ekspozuar ndaj abuzimeve jashtëzakonisht të egra fizike dhe psikologjike”.
I titulluar “Tortura dhe gjenocidi”, raporti “shqyrton përdorimin sistematik të torturës nga Izraeli ndaj palestinezëve nga territori i pushtuar palestinez që nga 7 tetori 2023”. Ai pretendon se “tortura në paraburgim është përdorur në një shkallë të paprecedent si hakmarrje kolektive ndëshkuese”.
“Rrahjet brutale, dhuna seksuale, përdhunimi, keqtrajtimi vdekjeprurës, uria dhe privimi sistematik i kushteve më bazike njerëzore kanë lënë pasoja të thella dhe afatgjata në trupat dhe mendjet e dhjetëra mijëra palestinezëve dhe të afërmve të tyre,” thuhet në raport.
“Tortura është bërë pjesë integrale e dominimit dhe ndëshkimit të ushtruar ndaj burrave, grave dhe fëmijëve, si përmes abuzimit në paraburgim, ashtu edhe përmes një fushate të pandërprerë të zhvendosjes së detyruar, vrasjeve masive, privimit dhe shkatërrimit të të gjitha mjeteve të jetesës për të shkaktuar dhimbje dhe vuajtje kolektive afatgjata,” thuhet më tej.
Albanese tha se ka mbledhur materiale të shkruara, përfshirë të paktën 300 dëshmi.
Një deklaratë shoqëruese e raportit thekson se, ndërsa Albanese “dënon pa mëdyshje torturën dhe format e tjera të keqtrajtimit të kryera nga të gjithë aktorët, përfshirë grupet e armatosura palestineze”, ky raport “fokusohet në veprimet e Izraelit”.
Izraeli është palë në Konventën kundër Torturës dhe Trajtimeve apo Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese.
Albanese tha se që nga tetori 2023, arrestimet e palestinezëve në territorin e pushtuar “janë rritur ndjeshëm”, me më shumë se 18,500 persona të arrestuar, përfshirë të paktën 1,500 fëmijë.
Raporti thotë se rreth 9,000 palestinezë janë ende në paraburgim, ndërsa “më shumë se 4,000 janë subjekt i zhdukjeve të detyruara”. Albanese tha se sistemi i ndalimit i Izraelit “ka rënë në një regjim poshtërimi, detyrimi dhe terrori sistematik e të përhapur”.
Ajo tha se Izraeli duhet “të ndalojë menjëherë të gjitha aktet e torturës dhe keqtrajtimit ndaj popullit palestinez si pjesë e gjenocidit të vazhdueshëm” dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve “të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të ndalur shkatërrimin e asaj që ka mbetur nga Palestina”, pasi çdo vonesë “përkeqëson dëmet e pakthyeshme dhe thellon më tej një sistem mizorie”.
Albanese i bëri thirrje prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) të kërkojë urdhër-arreste për ministrin izraelit të Mbrojtjes Israel Katz, ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir dhe ministrin e Financave Bezalel Smotrich.
Ajo pritet ta paraqesë raportin e saj para Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së të hënën. Edhe pse emërohen nga ky Këshill, raportuesit specialë janë ekspertë të pavarur dhe nuk flasin në emër të vetë OKB-së.
Albanese është përballur me kritika nga Izraeli dhe disa nga aleatët e tij për shkak të kritikave të saj të vazhdueshme dhe akuzave të hershme për gjenocid në Gaza. Izraeli e ka akuzuar atë se udhëhiqet nga një “axhendë obsesive dhe e nxitur nga urrejtja për të delegjitimuar shtetin e Izraelit”.
Muajin e kaluar, Franca dhe Gjermania kërkuan dorëheqjen e saj pas deklaratave të pretenduara në një forum të Al Jazeera-s në Doha.
OJQ-ja UN Watch, e cila nuk është organ i OKB-së, kishte shpërndarë një video të redaktuar të Albanese-s, në të cilën ajo u akuzua gabimisht se e kishte quajtur Izraelin “armikun e përbashkët të njerëzimit”.
Fjalët e saj të vërteta ishin: “Tani po shohim se si njerëzimi ka një armik të përbashkët dhe respektimi i lirive themelore është rruga e fundit paqësore, mjeti i fundit paqësor që kemi për të rifituar lirinë tonë.” /Al Jazeera/



