Blloku i Gjirit dënon sulmet iraniane ndaj objekteve energjetike saudite

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), Jasem Mohamed Albudaiwi, dënoi ashpër sulmet iraniane ndaj objekteve kryesore energjetike në Arabinë Saudite, duke i cilësuar si “akt terrorist”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Albudaiwi tha se sulmet ndaj rafinerisë SAMREF, portit Yanbu dhe një rafinerie në jug të Riadit përbëjnë “agresion të hapur kriminal” që pasqyron “sjelljen dhe natyrën armiqësore të regjimit iranian” dhe “mospërfilljen e plotë të tij ndaj sigurisë dhe stabilitetit të rajonit dhe botës”.
Veprime të tilla përbëjnë “shkelje të të gjitha ligjeve ndërkombëtare, kartave dhe parimeve të fqinjësisë së mirë”, shtoi ai.
Kreu i GCC-së rikonfirmoi “solidaritetin e plotë dhe të palëkundur” të bllokut me Arabinë Saudite, duke theksuar “mbështetjen absolute për të gjitha masat e ndërmarra nga Mbretëria për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe stabilitetin e saj”.
“Siguria e shteteve të GCC-së është e pandashme”, tha ai, duke nënvizuar qëndrimin e bashkuar të vendeve të Gjirit përballë kërcënimeve rajonale.
Përshkallëzimi rajonal ka vazhduar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar deri më tani rreth 1.300 viktima, përfshirë edhe udhëheqësin suprem Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit, duke thënë se këto sulme kanë në shënjestër “asetet ushtarake amerikane”.



