Nenad Saveski është Prokurori i ri Publik i Shtetit

Gjyqtari nga Gjykata Penale, Nenad Saveski, është zgjedhur Prokuror i ri Publik i Shtetit. Në seancën e sotme parlamentare për të votuan 66 deputetë, dy ishin kundër, ndërsa tetë deputetë votuan “kundër”.

Saveski, i cili aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, u propozua për prokuror publik të shtetit nga Qeveria më 10 mars, dhe për ta marrë funksionin i nevojiteshin të paktën 61 vota deputetësh. Kandidatura e tij vjen pas dorëheqjes së ish-prokurorit Ljupço Kocevski, pas një procedure në të cilën morën pjesë pesë kandidatë.

Nenad Saveski ka lindur në vitin 1976, jeton në Gostivar dhe është magjistër i shkencave juridike – e drejta penale. Ka përfunduar studimet dhe magjistraturën në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë UKIM në Shkup. Provimin e jurisprudencës e ka dhënë në vitin 2003. Që nga viti 2016 është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale Shkup, në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion. Më herët, nga viti 2009 deri në 2016, ka punuar si prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike, ndërsa nga viti 2004 deri në 2009 ka qenë bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Themelore Gostivar. Në këtë gjykatë, nga viti 2000 deri në 2002 ka punuar si praktikant gjyqësor.

Nga angazhimet ekspertike dhe ndërkombëtare në biografinë e gjyqtarit Saveski, theksohet se ka qenë ekspert në OSBE Maqedoni, ekspert në Konventën Kombëtare për BE – Kapitulli 23, si dhe ekspert në projekte të Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe USAID-it.

Ai është anëtar i grupeve punuese për reforma gjyqësore dhe ligjore. Ka punuar në projekte për masa të posaçme hetimore, paraburgim dhe procedurë penale.

Nga karriera akademike, Saveski është ligjërues në Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë, tutor kombëtar dhe trajner në programin HELP të Këshillit të Evropës, si dhe trajner për të drejtat e njeriut dhe të drejtën penale.

Ai është autor dhe bashkautor i punimeve për masa të posaçme hetimore, lirinë e shprehjes, shpifjen dhe fyerjen, konfiskimin e pasurisë, të drejtën e privatësisë, si dhe i disa udhëzuesve dhe publikimeve profesionale.

Flet maqedonisht, anglisht, gjermanisht, serbisht dhe shqip në nivel bazë.

Më parë, në vend të Ljupço Kocevskit, i cili dha dorëheqje të parevokueshme në dhjetor të vitit të kaluar, erdhi prokurorja Topolova-Isajllovska si ushtruese detyre e prokurores publike të shtetit, e cila ishte kandidate e vetme, por nuk mund të qëndrojë në këtë detyrë më shumë se gjashtë muaj.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button