OKB: 4.9 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeç vdiqën në vitin 2024

Sipas një raporti të OKB-së, rreth 4.9 milionë fëmijë kanë humbur jetën para se të mbushnin 5-vjeç në vitin 2024 ndërsa progresi në uljen e vdekshmërisë së fëmijëve është ngadalësuar ndjeshëm, transmeton Anadolu.
Megjithëse vdekjet e fëmijëve nën 5-vjeç kanë rënë me më shumë se gjysmën që nga viti 2000, ritmi i uljes është ngadalësuar me mbi 60 për qind që nga viti 2015, duke ngritur shqetësime se përpjekjet globale po humbasin vrullin. Në raport thuhet se shumica e këtyre vdekjeve mund të parandaloheshin me ndërhyrje të provuara, me kosto të ulët dhe me qasje në kujdes shëndetësor cilësor.
Raporti është përgatitur nga UNICEF-i, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Banka Botërore dhe Divizioni i Popullsisë i OKB-së. “Asnjë fëmijë nuk duhet të vdesë nga sëmundje që dimë si t’i parandalojmë. Por, po shohim shenja shqetësuese se progresi në mbijetesën e fëmijëve po ngadalësohet”, tha drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.
Të porsalindurit përbënin pothuajse gjysmën e të gjitha vdekjeve, duke reflektuar progres më të ngadaltë në parandalimin e vdekjeve rreth kohës së lindjes. Komplikimet nga lindja e parakohshme përbënin 36 për qind të vdekjeve të të porsalindurve, pasuar nga komplikimet gjatë lindjes me 21 për qind.
Pas muajit të parë, sëmundjet infektive si malaria, pneumonia dhe diarreja mbetën ndër shkaqet kryesore të vdekjeve. Vetëm malaria përbënte 17 për qind të vdekjeve te fëmijët më të rritur. Për herë të parë, raporti vlerësoi vdekjet e lidhura drejtpërdrejtë me kequshqyerjen akute të rëndë, duke zbuluar se më shumë se 100 mijë fëmijë vdiqën nga kjo në vitin 2024.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se fëmijët që jetojnë në zona konflikti dhe krize kanë pothuajse trefish më shumë gjasa të vdesin para moshës 5-vjeçare. “Ne duhet të mbrojmë shërbimet thelbësore shëndetësore dhe ushqimore dhe të arrijmë te familjet më të cenueshme në mënyrë që çdo fëmijë të ketë mundësinë jo vetëm të mbijetojë, por edhe të zhvillohet”, tha ai.
Afrika sub-sahariane përbënte 58 për qind të të gjitha vdekjeve të fëmijëve nën 5-vjeç, e ndjekur nga Azia Jugore me 25 për qind ndërsa fëmijët në zona të brishta kanë pothuajse trefish më shumë gjasa të vdesin. Raporti zbuloi se rreth 2.1 milionë fëmijë, adoleshentë dhe të rinj të moshës 5-24 vjeç vdiqën në vitin 2024, me shkaqet e vdekjes që ndryshojnë me rritjen e moshës.
Sëmundjet infektive dhe lëndimet mbeten shkaqet kryesore tek grupmoshat më të reja, ndërsa në adoleshencë, vetëvrasja është shkaku kryesor i vdekjes tek vajzat e moshës 15-19 vjeç dhe aksidentet rrugore tek djemtë. Gjetjet vijnë në një kohë kur financimi global për sistemet shëndetësore po përballet me presion në rritje, duke ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë e programeve për shëndetin e nënave, të porsalindurve dhe fëmijëve.
Raporti paralajmëron se investimet e vazhdueshme në shërbimet shëndetësore, sistemet e të dhënave dhe kujdesin thelbësor janë thelbësore jo vetëm për të ruajtur arritjet e deritanishme, por edhe për të përshpejtuar progresin.



