Erbili dhe Bagdadi bien dakord për rifillimin e eksporteve të naftës përmes Turqisë

Administrata Rajonale Kurde e Irakut (KRG) njoftoi të martën se ka arritur një mirëkuptim me Bagdadin zyrtar për të rifilluar eksportet e naftës përmes rajonit drejt portit Ceyhan në Turqi.
Në një deklaratë në platformën “X”, kryeministri i KRG-së, Masrour Barzani, tha se rajoni ka vendosur të lejojë rrjedhjen e naftës përsëri përmes tubacionit “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke përmendur “rrethanat e jashtëzakonshme, me të cilat përballet vendi, si dhe përgjegjësinë që ndajmë të gjithë për të kaluar këtë periudhë të vështirë”.
Barzani tha se diskutimet me qeverinë federale në Bagdad do të vazhdojnë “me urgjencë për të hequr kufizimet mbi importet dhe tregtinë” në rajonin kurd, si dhe për të siguruar garanci për kompanitë e naftës dhe gazit që të rifillojnë prodhimin në mënyrë të sigurt.
Ai falënderoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rolin dhe mbështetjen e tyre në lehtësimin e këtij procesi.
Kjo zhvillohet në një kohë kur Ngushtica e Hormuzit është bërë qendra e shqetësimeve globale për energjinë, pasi Garda Revolucionare e Iranit njoftoi mbylljen e saj për shumicën e anijeve, në kundërpërgjigje ndaj sulmeve ShBA-Izrael që nisën më 28 shkurt.
Para konfliktit, rreth 20 milionë fuçi naftë kalonin çdo ditë përmes kësaj ngushtice. Ndërprerja e saj ka shtyrë çmimet e naftës në rritje.
Tom Barrack, ambasadori i ShBA-së në Turqi dhe i dërguari special për Sirinë, shprehu mirënjohje ndaj Erbilit dhe Bagdadit për arritjen e marrëveshjes.
“Shumë faleminderit Erbilit dhe Bagdadit për punën e tyre në arritjen e një marrëveshjeje në këtë moment kritik për rifillimin e eksporteve të energjisë dhe përmirësimin e mirëqenies së rajonit”, shkroi ai në “X”, duke shtuar se “guximi, bashkëpunimi i qëndrueshëm dhe përkushtimi ndaj rrugës diplomatike kanë qenë të paçmueshme”.
“ShBA-ja mbetet plotësisht e përkushtuar për të mbështetur këto përpjekje të rëndësishme në këtë kohë krize”, theksoi ai.
Ndërkohë, sipas një deklarate të KRG-së, Barzani zhvilloi edhe një telefonatë me ambasadorin Barrack.
Gjatë bisedës, palët diskutuan zhvillimet në rajonin kurd të Irakut dhe në rajonin më të gjerë.
Barracku përcolli përshëndetjet e Presidentit amerikan, Donald Trump, si dhe vlerësoi gatishmërinë e kryeministrit të KRG-së për të bashkëpunuar me qeverinë federale për rifillimin e eksporteve të naftës përmes Turqisë.
Barzani tha se bisedimet me Bagdadin janë në vijim dhe se ai e ka udhëzuar ekipin negociator të KRG-së që të ofrojë të gjithë lehtësimin e nevojshëm për rifillimin e eksporteve për “t’u shërbyer interesave të qytetarëve në rrethanat aktuale”.
Ai i bëri thirrje gjithashtu ShBA-së që të vazhdojë rolin e saj si monitoruese dhe mbështetëse e negociatave në vazhdim mes Erbilit dhe Bagdadit, veçanërisht për çështjet e doganave dhe kufizimeve tregtare.
Të dielën, Ministria e Naftës së Irakut deklaroi se ishte e gatshme të rifillonte eksportet e naftës bruto përmes tubacionit verior drejt portit turk të Ceyhanit, në kushtet e ndërprerjeve të rrugëve jugore të eksportit të lidhura me krizën rajonale dhe problemet e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, sipas Bagdadit, Ministria e Burimeve Natyrore e KRG-së kishte refuzuar më parë rifillimin e eksporteve, duke vendosur kushte që u cilësuan si “të palidhura me operacionet e eksportit të naftës”.
Ministria e Naftës shtoi se i kishte bërë të ditur palës kurde se këto kushte mund të diskutohen më vonë paralelisht me rifillimin e eksporteve, duke paralajmëruar se pezullimi i vazhdueshëm do ta privonte Irakun nga burime financiare të konsiderueshme që mund të kompensonin pjesërisht humbjet nga ndalimi i eksporteve jugore.
Ajo përsëriti thirrjen ndaj Ministrisë së Burimeve Natyrore të rajonit kurd që të rifillojë menjëherë eksportet “në përputhje me interesin më të lartë kombëtar, Kushtetutën dhe ligjin për buxhetin federal”.
Irani ka mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit që nga 1 marsi, pas nisjes së sulmeve të përbashkëta nga Izraeli dhe ShBA-ja kundër Iranit më 28 shkurt, të cilat deri më tani kanë vrarë rreth 1.300 persona, përfshirë ish-udhëheqësin suprem, Ali Khamenei. Përplasjet janë përshkallëzuar që atëherë.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjuar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë “asete ushtarake amerikane”, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacion.



