Irani eksporton miliona fuqi nafte pavarësisht luftës, rreth 90 anije kalojnë Ngushticën e Hormuzit

Rreth 90 anije, përfshirë cisterna nafte, kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit që nga fillimi i luftës ndaj Iranit dhe vendi vazhdon të eksportojë miliona fuçi nafte, në një kohë kur kjo rrugë ujore është praktikisht e mbyllur, sipas platformave të të dhënave detare dhe tregtare.
Shumë prej anijeve që kanë kaluar nëpër ngushticë kanë qenë të ashtuquajtura kalime “të errëta”, duke shmangur sanksionet dhe mbikëqyrjen e qeverive perëndimore, dhe që me gjasë kanë lidhje me Iranin, ka thënë kompania e të dhënave detare Lloyd’s List Intelligence.
Kohët e fundit, edhe anije me lidhje me Indinë dhe Pakistanin kanë kaluar me sukses nëpër ngushticë, ndërsa qeveritë kanë intensifikuar negociatat.
Ndërsa çmimet e naftës bruto janë rritur në mbi 100 dollarë për fuçi, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po ushtron presion mbi aleatët dhe partnerët tregtarë që të dërgojnë anije luftarake dhe të rihapin ngushticën, me shpresën për të ulur çmimet e naftës.
Shumica e trafikut detar nëpër Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyç për transportin global të naftës dhe gazit që furnizon rreth një të pestën e naftës bruto në botë, është ndalur që nga fillimi i marsit, pasi nisi lufta. Rreth 20 anije janë sulmuar në zonë.
Megjithatë, Irani ka arritur të eksportojë mbi 16 milionë fuçi nafte që nga fillimi i marsit, sipas vlerësimeve të platformës së të dhënave tregtare dhe analizës Kpler. Për shkak të sanksioneve perëndimore dhe rreziqeve përkatëse, Kina ka qenë blerësi më i madh i naftës iraniane.
Ka pasur një “qëndrueshmëri të vazhdueshme” në vëllimet e eksportit të naftës së Iranit, ka thënë analistja e rrezikut tregtar në Kpler, Ana Subasic.
Irani ka arritur të përfitojë nga shitjet e naftës dhe gjithashtu të “ruajë arterien e vet të eksportit” duke përdorur kontrollin mbi këtë pikë kyçe, ka thënë Kun Cao, drejtor klientësh në firmën konsulente Reddal.
Vlerësimet për eksportet e naftës së Iranit përputhen kryesisht me të dhënat e trafikut detar.
Të paktën 89 anije kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit midis 1 dhe 15 marsit – përfshirë 16 cisterna nafte, sipas Lloyd’s List Intelligence, një rënie nga rreth 100 deri në 135 kalime anijesh në ditë para luftës.
Më shumë se një e pesta e këtyre 89 anijeve besohet se kanë lidhje me Iranin, ndërsa anije të lidhura me Kinën dhe Greqinë janë ndër të tjerat.
Edhe anije të tjera kanë arritur të kalojnë.
Cisterna e naftës bruto me flamur pakistanez “Karachi”, e kontrolluar nga Pakistan National Shipping Corp., ka kaluar nëpër ngushticë të dielën, sipas Lloyd’s List Intelligence.
Anijet transportuese të gazit të lëngshëm të naftës (LPG) me flamur indian “Shivalik” dhe “Nanda Devi”, të dyja në pronësi të Shipping Corp. of India, gjithashtu kanë udhëtuar nëpër ngushticë rreth datave 13 ose 14 mars, sipas Lloyd’s List Intelligence. LPG përdoret si karburant kryesor për gatim nga miliona familje indiane.



