Argjentina largohet zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

Argjentina është tërhequr zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth një vit pas njoftimit për largim, raportoi të mërkurën “Euronews”.
Vendimi u konfirmua nga ministri i Jashtëm, Pablo Quirno, i cili bëri të ditur se tërheqja ka hyrë në fuqi një vit pas njoftimit zyrtar të dërguar më 17 mars 2025 te sekretari i përgjithshëm i OKB-së.
Sipas Quirnos, procedura është realizuar në përputhje me Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve.
“Sot, tërheqja e Argjentinës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) hyn në fuqi, një vit pas njoftimit zyrtar të bërë nga vendi ynë”, tha Quirno, duke kujtuar se njoftimi iu bë më 17 mars 2025 sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.
Qeveria e presidentit Javier Milei e ka arsyetuar këtë vendim me mospajtime të thella me mënyrën se si OBSH-ja menaxhoi pandeminë COVID-19. Milei e ka kritikuar ashpër organizatën, duke e cilësuar atë si strukturë problematike dhe pjesë e një sistemi global që, sipas tij, ndikoi negativisht në menaxhimin e krizës shëndetësore.
Megjithatë, autoritetet argjentinase kanë theksuar se largimi nga OBSH-ja nuk nënkupton izolim në fushën e shëndetësisë. Sipas deklaratave zyrtare, vendi do të vazhdojë bashkëpunimin ndërkombëtar përmes marrëveshjeve bilaterale dhe nismave rajonale, duke ruajtur të drejtën për të vendosur në mënyrë të pavarur politikat shëndetësore.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta brenda vendit, ku ekspertë të shëndetësisë e kanë cilësuar atë si hap të gabuar dhe të rrezikshëm për sistemin shëndetësor publik.
Qasja e Mileit ndaj OBSH-së pason kritikat e mëhershme të bëra nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili gjithashtu pati vënë në dyshim rolin e organizatës gjatë pandemisë dhe në menaxhimin e krizave të tjera globale shëndetësore.



