BE-ja kërkon zgjidhje diplomatike për Ngushticën e Hormuzit

Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë të martën se duhet të gjenden mënyra diplomatike për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit.
Deklarata e saj vjen teksa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje aleatëve të dërgojnë anije luftarake atje për të siguruar tranzitin, mes luftës në Iran.
“Askush nuk është i gatshëm t’i vërë njerëzit e vet në rrezik në Ngushticën e Hormuzit. Ne duhet të gjejmë mënyra diplomatike për ta mbajtur këtë të hapur në mënyrë që të mos kemi një krizë ushqimore, krizë të plehrave kimike, krizë energjie gjithashtu”, ka thënë Kallas në një intervistë me Reuters.
Presidenti Trump ka paralajmëruar të dielën NATO-n se e pret “një e ardhme shumë e keqe” nëse vendet anëtare nuk i ndihmojnë SHBA-së që ta sigurojë Ngushticën e Hormuzit.
Deri më tani, asnjë vend nuk është shprehur publikisht pro thirrjes së Trumpit, teksa vendet si Britania, Gjermania dhe Spanja kanë paraqitur qëndrim kundër, duke thënë se nuk duan të tërhiqen në një luftë më të gjerë, dhe po ashtu se lufta ndaj Iranit nuk është çështje e NATO-s.
Trumpi ka deklaruar të hënën se e dinte që nuk do të merret ndihmë nga vendet e NATO-s, sepse siç ka thënë, kjo ka ndodhur gjithmonë, që SHBA-ja i ka ndihmuar ato, ndërkaq ato kanë refuzuar të ofrojnë ndihmë.
Ai ka thënë po ashtu se disa liderë i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës dhe se emrat e tyre do t’i bëjë publik më vonë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.


