Gashi ia tregon vendin Kostadinovskit: Secili të kujdeset më shumë për institucionin që drejton, sesa të shikojë në “oborrin e tjetrit”

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i ka dërguar mesazh kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, duke thënë se secili duhet të kujdeset më shumë për institucionin që drejton sesa të shikojë në “oborrin e tjetrit”. Reagimi i Gashit vjen pas kritikave të Kostadinovskit se nuk do të tolerojë më që Kuvendi të injorojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Gashi dhe Kostadinovski kanë hyrë në një përplasje të hapur, veçanërisht pasi Kuvendi i ka tejkaluar të gjitha afatet për miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal. Tensionet u shtuan edhe pas deklaratës së Kostadinovskit se nuk ka nevojë që mesazhet nga sistemi “Qytet i Sigurt” t’u dërgohen qytetarëve edhe në gjuhën shqipe. Për këtë, Gashi i ka bërë thirrje të mendojë dhe të jetë i kujdesshëm kur jep deklarata që prekin marrëdhëniet ndëretnike.
“Të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm me marrëdhëniet ndëretnike”
Gashi tha se, si politikan dhe drejtues i një institucioni të rëndësishëm si Kuvendi, përpiqet të mos hyjë në konflikt me asnjë institucion apo funksionar publik.
“Gjithmonë kam bërë thirrje për kujdes në dhënien e deklaratave, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike. Ato janë të brishta dhe përbëjnë një shtyllë të stabilitetit të shtetit. Çdo funksionar duhet të mendojë mirë se si sillet në këtë temë. Unë përpiqem të jem maksimalisht i kujdesshëm, sepse besoj se kjo ndikon shumë në shtetin dhe në marrëdhëniet mes qytetarëve”, tha Gashi gjatë një brifingu me gazetarët.
Ai gjithashtu nuk u pajtua me kritikat e Kostadinovskit se Kuvendi po injoron vendimet dhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Çfarë do të bëjë ai, do të vijë të thërrasë seancë?”, komentoi Gashi.
Sipas tij, çdo institucion – veçanërisht Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi, për të cilat Kushtetuta përcakton qartë kompetencat dhe përgjegjësitë – duhet ta kryejë funksionin e vet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.



