Protesta e sindikatave: Pagë minimale 600 euro, paralajmërohet grevë 24-orëshe

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot organizoi një protestë të re me të cilën kërkoi që paga minimale të rritet në 600 euro, ndërsa të gjitha pagat e tjera të rriten në mënyrë lineare për 100 euro. Nga sindikata thonë se punëtorët nuk pajtohen me harmonizimin ligjor të pagës minimale prej rreth 1.600 denarësh, por kërkojnë të ardhura dinjitoze që tashmë i kanë fituar me punën e tyre.
Kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, në protestën që filloi para Shtëpisë së Punëtorëve dhe përfundoi para ndërtesës së Qeverisë, deklaroi se në shtet ka 160.000 punëtorë që marrin pagë nën pragun e varfërisë. Ai thotë se rritja e pagës minimale është e domosdoshme në kushte kur shpenzimet e jetesës vazhdojnë të rriten, ndërsa një numër i madh qytetarësh mezi i mbulojnë nevojat bazë.
Sindikata e hedh poshtë harmonizimin ligjor prej 1.667 denarësh me arsyetimin se vetëm në dy muajt e fundit vlera e shportës minimale sindikale është rritur për 2.000 denarë. Sipas Trendafilovit, harmonizimi i paraparë nuk e mbulon as rritjen e shpenzimeve bazë të jetesës.
Ai deklaroi se pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve me të cilat janë përballur disa punëtorë që të mos dalin në protestë, lufta sindikale do të vazhdojë në rrugë derisa të plotësohen kërkesat. Pas protestës së sotme, LSM mbetet në paralajmërimin për organizimin e një greve të përgjithshme 24-orëshe, e cila kësaj radhe do ta përfshijë edhe sektorin privat.



