Ekspertët e OKB-së: Agresioni ndaj Iranit dhe Libanit shkel ligjin ndërkombëtar

Ekspertët e të drejtave të njeriut të OKB-së thanë se sulmet e vazhdueshme ushtarake nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj Iranit dhe Libanit shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe rrezikojnë dhunë të armatosur më të gjerë në të gjithë Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
“Konflikti rrezikon të përfshijë rajonin e gjerë në dhunë të armatosur katastrofike dhe kërcënon të krijojë një precedent tjetër të pandëshkueshmërisë totale për disa nga fuqitë më të forta ushtarake në botë”, theksuan ekspertët në një deklaratë të enjten.
Ata potencuan se sulmi i paprovokuar ndaj Iranit nga SHBA-ja dhe Izraeli ndërsa negociatat ishin ende në vazhdim, është plotësisht i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar dhe përbën akt agresioni.
“SHBA-ja dhe Izraeli duhet të ndalojnë së zhvilluari dhe zgjeruari luftërat dhe të konsiderojnë veten mbi ligjshmërinë ndërkombëtare”, shtuan ata.
Ekspertët shprehën alarm për kërkesën e SHBA-së për dorëzimin pa kushte të Iranit, duke paralajmëruar se kjo mund të çojë në luftë të zgjatur dhe vuajtje të mëdha njerëzore. Ata bënë thirrje për hetime mbi shkeljet e mundshme të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përmendur sulme, përfshirë sulmin ndaj një shkolle vajzash në Iran në të cilin u vranë të paktën 180 vajza.
Ekspertët paralajmëruan se sulmet hakmarrëse të Iranit kundër objektivave civile shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar dhe duhet të ndalen. Ata kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe bënë thirrje për një konferencë ndërkombëtare paqeje për të adresuar të ardhmen e rajonit.


