I dyshuari qëllohet për vdekje në një sinagogë në Michigan, autoritetet kërkojnë për një person të dytë të mundshëm

Një i dyshuar është qëlluar për vdekje pasi agjentët e FBI-së dhe policia iu përgjigjën raportimeve për një sulmues aktiv në sinagogën Temple Israel në shtetin amerikan të Michiganit, transmeton Anadolu.
Një zyrtar i zbatimit të ligjit tha për CCN se i dyshuari kishte përplasur automjetin e tij në sinagogë në West Bloomfield Township dhe u zbulua se kishte në posedim një pushkë.
Sherifi i Qarkut Oakland, Michael Bouchard, tha se personeli i sigurisë në sinagogë u përfshi në shkëmbim zjarri me të dyshuarin sapo ai mbërriti.
“Për momentin nuk është konfirmuar se dikush është lënduar, përveç ndoshta sulmuesit”, u tha ai gazetarëve.
Bouchard tha se autoritetet ende po punojnë për të përcaktuar nëse një person i dytë ishte i përfshirë, duke u kërkuar banorëve të qëndrojnë të strehuar brenda një rrezeje prej të paktën 1 milje nga vendi i ngjarjes “derisa të kuptojmë saktësisht se çfarë po ndodh”.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel dhe prokurorja e përgjithshme, Pamela Bondi, thanë se agjentët federalë ndodhen në vendngjarje për të ndihmuar autoritetet lokale.
Guvernatorja e shtetit Michigan, Gretchen Whitmer, e quajti incidentin “zemërthyes”, duke theksuar se komuniteti hebre “duhet të jetë në gjendje të jetojë dhe të praktikojë besimin e tij në paqe”.



