Të paktën 120 persona kanë vdekur gjatë ose pas ndërhyrjeve të policisë në Belgjikë në periudhën 2010-2026

Të paktën 120 persona kanë vdekur gjatë ose menjëherë pas ndërhyrjeve policore në Belgjikë midis viteve 2010 dhe 2026, sipas një hetimi nga mediat belge Knack, Le Vif, De Tijd dhe L’Echo të publikuar të mërkurën, transmeton Anadolu.
Baza e të dhënave, e përpiluar për herë të parë nga gazetarë investigativë, tregon se gati gjysma kanë vdekur në vendngjarje ose gjatë arrestimit. Gjashtë nga të vdekurit janë të mitur dhe shifrat besohet të jenë të minimizuara.
Rastet e njohura përfshijnë Jonathan Jacob, Jozef Chovanec, fëmijën e vogël Mawda dhe 11-vjeçarin Fabian.
Gazetarët verifikuan raportet e gazetave me prokurorë publikë, avokatë dhe të afërm për të verifikuar të dhënat.
Hetimi zbuloi se 46 për qind e vdekjeve përfshinin armë zjarri, 11 viktima u goditën nga automjete dhe tetë pësuan arrest kardiak gjatë ose menjëherë pas ndërhyrjeve policore.
Rreth 45 për qind kanë vdekur në vendngjarje ose gjatë arrestimit, ndërsa 17 për qind në paraburgim. Të ndjerit në 40 për qind të rasteve kanë qenë të armatosur.
Brecht Castel, gazetar investigativ në Knack, tha se disa vdekje përfshijnë vetëmbrojtje të ligjshme, por të tjera ngrejnë pikëpyetje në lidhje me përgjegjësinë e policisë.
“Pa transparencë, është e pamundur të kryhen kërkime të duhura mbi performancën e policisë”, tha për Knack, Kati Verstrepen avokate dhe kryetare e Lidhjes për të Drejtat e Njeriut.
Kriminologia Sofie De Kimpe shtoi se kultura policore në Belgjikë e sheh transparencën si një kërcënim dhe jo si një mjet për përmirësim.
Ministri i Brendshëm, Bernard Quintin, tha se hetime sistematike kryhen në rastet e vdekjeve gjatë ndërhyrjeve të policisë dhe merren masa disiplinore ose penale kur është e nevojshme.



