Zjarr në një autobus në Zvicër, të paktën 6 të vdekur, nuk përjashtohet mundësia e zjarrvënies së qëllimshme

Një zjarr përfshiu një autobus të transportit publik në qytetin perëndimor zviceran Kerzers, duke lënë të vdekur të paktën gjashtë persona dhe duke lënduar disa të tjerë, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse zjarri ishte i qëllimshëm, transmeton Anadolu.
Policia kantonale e Friburgut tha në një deklaratë të martën vonë se shërbimet emergjente u njoftuan rreth orës 18:25 sipas kohës së Evropës Qendrore për një zjarr në një autobus postar në rrugën Murtenstrasse në Kerzers, në kantonin e Friburgut.
Autobusi postar, i njohur si PostBus, është një shërbim autobusi i transportit publik i operuar nga Posta Zvicerane, që lidh qytetet dhe komunitetet rurale në gjithë Zvicrën.
Kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, automjeti ishte plotësisht i përfshirë nga flakët, sipas deklaratës së policisë. Zjarrfikësit kryen operacione shpëtimi dhe shuarjeje ndërsa autoritetet vendosën një perimetër sigurie rreth vendit të ngjarjes.
Gjatë ndërhyrjes mjekësore me disa ambulanca dhe një helikopter shpëtimi REGA u transportuan tre persona të lënduar në spitale ndërsa dy të tjerë u trajtuan në vend dhe nuk kishin nevojë për shtrim në spital, tha policia.
Autoritetet më vonë konfirmuan se disa persona u gjetën të vdekur, megjithëse numri i saktë i viktimave nuk ishte konfirmuar menjëherë të martën në mbrëmje. Posta Zvicerane tha sot në një deklaratë se zjarri në autobusin postar ka shkaktuar “të paktën gjashtë viktima” dhe disa të lënduar, duke e quajtur atë “incident të tmerrshëm”.
Policia kantonale tha se “një akt i qëllimshëm mund të jetë shkaku i zjarrit” dhe se një hetim është hapur nga prokuroria publike e Friburgut. Qeveria kantonale shprehu sot ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e viktimave, duke e përshkruar ngjarjen si “zjarr tragjik”.
“Është një tragjedi e tmerrshme që ndodhi dje në Kerzers”, tha në një deklaratë Stefan Regli, drejtori ekzekutiv i PostBus dhe anëtar i udhëheqësisë ekzekutive të Postës Zvicerane. “Ashtu si unë, të gjithë punonjësit e PostBus dhe të Postës Zvicerane janë të tronditur dhe thellësisht të prekur”, shtoi ai.
Policia kantonale pritet të mbajë konferencë për mediat sot për të dhënë më shumë informacione.



