Senati bllokon propozimin për ta kufizuar autoritetin e Trumpit në luftën ndaj Iranit

Forcat amerikane dhe ato izraelite kanë vazhduar të sulmojnë Iranin, teksa Senati amerikan e ka hedhur poshtë një propozim që do ta kufizonte autoritetin e presidentit amerikan, Donald Trump për të vazhduar aksionin ushtarak kundër shtetit të Lindjes së Mesme pa miratim të Kongresit.
Trump ka thënë më 4 mars se çdo zyrtar iranian që synon pozitat më të larta për t’i zëvendësuar liderët e vrarë, “do të përfundojë i vdekur”, dhe është zotuar se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli do të vazhdojnë fushatën ushtarake kundër Iranit.
“Jemi në pozicion shumë të fuqishëm tani, dhe udhëheqja e tyre po largohet shpejt. Secili që dëshiron të bëhet lider, do të përfundojë i vdekur”, ka thënë Trump në një takim me liderë të sektorit të teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë më 4 mars.
“Po ia dalim mirë në frontin e luftës, nëse e them butë këtë. Dikush më ka pyetur se deri në numrin 10 sa do ta vlerësoja? Do të thosha 15”, ka deklaruar Trump.
Presidenti është zotuar se nuk do të lëshojë pe në fushatën e përbashkët ushtarake me Izraelin, që e ka lënë të vrarë liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei dhe shumë zyrtarë tjerë të sigurisë, ushtrisë dhe politikës.
Trump ka thënë se arsenali i raketave balistike të Teheranit “po zhduket me shpejtësi”.
Presidenti amerikan ka thënë se e ka urdhëruar sulmin për t’ia parandaluar këtij shteti krijimin e armës bërthamore, por ka thënë se dëshiron që Teherani të mos ketë as program të raketave balistike, që t’i japë fund dhunës kundër protestuesve anti qeveritarë, mijëra prej të civilëve janë vrarë në një shtypje brutale shtetërore në javët e fundit.
Duke tentuar t’i ulë shqetësimet për prezencën e trupave ushtarake amerikane në tokën iraniane, Shtëpia e Bardhë ka thënë më 4 mars se angazhimi i trupave tokësore në Iran “nuk është pjesë e operacionit në këtë moment”.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se dy aleatët kanë shënuar “arritje historike” në luftën e tyre – e cila ka hyrë në ditën e gjashtë – kundër Iranit.
Një zëdhënës i tij ka thënë se sulmet ndaj Iranit kanë qenë të domosdoshme pasi Teherani ka qenë duke rindërtuar programin e armëve bërthamore në “bunkerët nëntokësorë” dhe që ka pasur sinjale se ka planifikuar të sulmojë “Izraelin dhe forcat amerikane në rajon” por pa ofruar më shumë hollësi.
Republikanët kundërshtojnë kufizimet për kompetencat e luftës
Një propozim i paraqitur në Senatin amerikan parashihte që çdo sulm i mëtejshëm ushtarak të autorizohej nga Kongresi.
Por, shumica e republikanëve e kundërshtuan atë, duke argumentuar se presidenti, si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, e ka autoritetin t’i drejtojë operacionet ushtarake.
Demokratët thanë se votimi është provë për rendin kushtetues. Senatori nga Nju Jorku, Chuck Schumer, tha se ligjvënësit duhet të vendosin nëse do t’i dërgojnë “bijtë dhe bijat” e amerikanëve në rrezik.
Nga ana tjetër, udhëheqës republikanë mbrojtën presidentin Trump. Senatori nga Dakota e Jugut, John Thune, tha se Trump po vepron për t’i mbrojtur forcat amerikane, ndërsa senatori nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, e quajti propozimin jokushtetues.



