Kreu i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë u takua me kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, Safi Arpagus, në kuadër të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, u takua me Kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI), Shaqir Fetahu, raporton Anadolu.
Pas takimit që u zhvillua në ndërtesën e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut në kryeqytetin Shkup, Arpagus dhe Fetahu dhanë deklaratë për mediat.
Duke bërë të ditur se ndodhen në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në një program iftari, Arpagus tha: “Kjo është hera ime e parë që vij në Shkup. Në fund të muajit ka edhe një takim tjetër. Inshallah, pas kësaj do të takohemi më shpesh. Ne jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por në Afrikë, në Azi, në Evropë, në Ballkan, në të gjitha trevat që paraardhësit tanë na i kanë lënë amanet, mendojmë t’i përmbushim shërbimet që kërkon fusha jonë e veprimit”.
Arpagus theksoi se nga Turqia kanë sjellë përshëndetje dhe dashuri për Maqedoninë e Veriut.
“Xhamia e Madhe e Shkupit, simboli më i madh i bashkëpunimit tonë”
Fetahu tha se Kryesia e Çështjeve Fetare tregon kujdes të madh ndaj besimtarëve në Maqedoninë e Veriut dhe se kjo dëshmohet me investimet e bëra.
Duke shprehur kënaqësinë për investimet e bëra në restaurimin e xhamive osmane në vendin e tij, Fetahu tha: “Sepse ato përveç që na lidhin me kohën e perandorisë islame Osmane ata janë lulet më të bukura të Republikës së Maqedonisë (së Veriut). Por simboli më i madh i bashkëpunimit të Turqisë, Dijanetit dhe institutcioneve të saja me vendin tonë, me bashkësinë islame të Maqedonisë (së Veriut) është, bukuroshja e shtetit tonë që quhet Xhamia e Madhe e Shkupit, e cila tash është e hapur për besimtarët dhe e kanë pritur me gëzim shumë të madh”.
Fetahu theksoi gjithashtu rëndësinë e madhe që i japin faktit se ndërtimi i Xhamisë së Shkupit është realizuar me mbështetjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Duke shprehur kënaqësinë për iniciativën e Kryetarit të Dijanetit Arpagus që takimi i Dijetarëve Fetarë të Ballkanit të organizohet në kryeqytetin Shkup, Fetahu theksoi se do të bëjnë përpjekjet maksimale që ai takim të realizohet në mënyrën më të mirë.



