Mexhiti në terren me ekipin e Masterplanit: Projektet në Çair po marrin formë konkrete

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka zhvilluar gjatë javës një vizitë në terren së bashku me ekipin që ka hartuar Masterplanin për Çairin, për të parë nga afër realizimin e projekteve që tashmë kanë hyrë në fazën e zbatimit.
“Përgjatë javës, bashkë me ekipin që ka hartuar Masterplanin për Çairin, ecëm nëpër lagjet tona, për të parë nga afër realizimin e projekteve që tashmë kanë hyrë në fazën e zbatimit”, ka theksuar Mexhiti.
Gjatë ecjes nëpër rrugët e komunës, ai bëri të ditur se janë prezantuar ndërhyrjet e realizuara deri tani, si dhe hapat e ardhshëm të zhvillimit urban.
“Ndër projektet kryesore që po ndryshojnë infrastrukturën lokale janë punimet në Rrugën ‘Ferid Murat’ dhe ‘Mit’hat Frashëri’, ku përmirësimet në qarkullim, qasje dhe standard urban janë tashmë të dukshme”, u shpreh ai.
Sipas tij, paralelisht po vazhdon edhe ndërtimi i pishinës, investim që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sport, rekreacion dhe aktivitetet rinore në komunë.
“Një segment tjetër strategjik është fillimi i zgjerimit të bulevardit ‘Cvetan Dimov’, projekt që synon të rrisë funksionalitetin e trafikut dhe të krijojë një aks më të sigurt dhe më efikas për qytetarët”, theksoi Mexhiti.
Ai nënvizoi gjithashtu se vendosja e kontenjerëve nëntokësorë për menaxhimin e mbeturinave po sjell një qasje më moderne ndaj higjienës publike dhe organizimit urban.
“Kjo vizitë në terren shërbeu për të vlerësuar ritmin e realizimit dhe për të koordinuar fazat e ardhshme të punimeve, duke siguruar që çdo projekt të ecë sipas standardeve dhe afateve të planifikuara. Masterplani i Çairit po konkretizohet hap pas hapi, përmes investimeve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës dhe në zhvillimin afatgjatë të komunës”, ka përfunduar kryetari i Çairit.
Në këtë mënyrë, sipas tij, projektet infrastrukturore dhe urbane po marrin formë konkrete, me synimin për ta transformuar Çairin në një hapësirë më funksionale dhe më të jetueshme për qytetarët.



