Arrestohet një 25-vjeçar për vrasje mizore në Kumanovë: Dyshohet si vrasës serial

Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Kumanovë ka dorëzuar padi penale në Prokurorinë Themelore Publike Kumanovë kundër personit T.B. (25) nga Kumanova, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje” sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 1 të Kodit Penal.

Në periudhën prej datës 27.01 deri më 12.02.2026, i dyshuari në fshatin Çellopek, komuna e Nagoriçanit të Vjetër, me dashje dhe në mënyrë mizore e dinake, ka privuar nga jeta viktimën, një grua të lindur në vitin 1947. Ai ka shfrytëzuar rrethanën që e dëmtuara jetonte e vetme, ishte e moshuar dhe e pafuqishme. Kur ka hyrë në shtëpinë e saj, ajo ishte duke fjetur në krevat, me ç’rast i dyshuari e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar goditje të shumta me të cilat i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, nga të cilat gruaja ka ndërruar jetë.

​Përmes veprimeve intensive dhe të koordinuara gjatë ditëve të fundit nga SPB Kumanovë, Departamenti i Policisë Kriminale, Prokuroria e Kumanovës, qendra hetimore e asaj prokurorie dhe ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, janë siguruar dëshmi që tregojnë lidhjen e kësaj ngjarjeje me disa raste të tjera të ngjashme në rajonin e Kumanovës.

​Për shkak të ngjashmërive në zgjedhjen e viktimave dhe mënyrës mizore të kryerjes së krimit, po hulumtohet nëse edhe në ato raste bëhet fjalë për vrasje të kryera nga i njëjti autor. Për një nga viktimat potenciale, dje është urdhëruar ekshumimi dhe obduksioni, ndërsa nga trupi i gruas së ndjerë janë marrë gjurmë dhe ADN të cilat po i nënshtrohen ekspertizës.

​Organet e hetuesisë po punojnë në ekspertiza dhe analiza komplekse, si dhe veprime të tjera për sigurimin e dëshmive, të cilat për momentin nuk mund të ndahen me publikun për shkak të fshehtësisë së procedurës. I dyshuari është privuar nga liria dhe është siguruar menjëherë pas zbulimit të tij, ndërsa me propozim të prokurorit publik i është caktuar masa e paraburgimit. Gjithashtu, është urdhëruar ekspertizë psikiatrike e të dyshuarit nga një ekip ekspertësh – psikiatër ligjorë nga Instituti i Psikiatrisë në Shkup.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button