Avokati i Popullit kërkon pavarësi financiare dhe përforcim institucional në takim me ambasadorin e BE-së

Avokati i Popullit, M-r. Faton Selami, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, SH.T. Michalis Rokas, dhe zëvendësambasadorin Ben Napnau, ku u diskutuan sfidat në fillim të mandatit të tij dhe prioritetet kryesore të institucionit për periudhën e ardhshme.

Gjatë takimit, Selami theksoi nevojën për përmirësimin e kornizës ligjore të institucionit përmes ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për Avokatin e Popullit. Ai nënvizoi dy prioritete kyçe: sigurimin e pavarësisë së plotë financiare dhe pavarësimin e shërbimit profesional në përputhje me Parimet e Parisit, me synimin për të arritur statusin A si Institucion Kombëtar për të Drejtat e Njeriut.

“Është e domosdoshme të ndërmerren ndryshime ligjore që do të garantojnë pavarësinë financiare dhe profesionale të institucionit,” theksoi Selami, duke shtuar se këto hapa janë të nevojshëm për forcimin e rolit mbrojtës të Avokatit të Popullit ndaj të drejtave të qytetarëve.

Nga ana tjetër, ambasadori Michalis Rokas theksoi se sigurimi i parakushteve për pavarësinë e institucionit është pjesë e agjendës reformuese të vendit në kuadër të procesit të integrimeve evropiane. “Pavarësia e Avokatit të Popullit është element thelbësor për avancimin e standardeve demokratike dhe të drejtave të njeriut,” deklaroi ai.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se këto çështje janë prioritare dhe se në periudhën e ardhshme do të bashkëpunojnë për realizimin e tyre. Ambasadori Rokas shtoi se institucioni do të vazhdojë të gëzojë mbështetje të lartë nga Bashkimi Evropian në të gjitha segmentet e punës së tij, duke marrë parasysh rëndësinë që ka për qytetarët.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button