Qytetarët “pushtojnë” rrugët e Prishtinës, bëjnë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Nën organizimin e grupit “Liria ka emër”, mijëra qytetarë kanë marshuar në sheshet e Prishtinës për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Gjykatën Speciale për krime lufte në Hagë.
Qytetarë nga të gjitha vendet shqipfolëse u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në kërkim të një procesi të drejtë për ish-krerët e UÇK-së, pasi gjykimi i tyre ka hyrë në fazën përmbyllëse dhe pas disa javësh apo muajsh pritet të përfundojë tërësisht.
Përveç qytetarëve të shumtë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe më gjerë, në këtë marsh mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ishte krah birit të ish-presidentit që po gjykohet në Hagë, Hashim Thaçi.
Ish-pjesëtarë të UÇK-së iu drejtuan të pranishmëve me nga një fjalë rasti duke kërkuar “drejtësi për çlirimtarët”.
Gjithashtu, para të pranishmëve fjalën e mori edhe e mbijetuara e dhunës seksuale në luftë, Vasfije Krasniqi, e cila tha se liria është ajo që e bashkon popullin shqiptar.
Më 9 shkurt të këtij viti, në Dhomat e Specializuara nisi paraqitja e fjalës përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, gjë e cila shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, duke deklaruar se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për krime lufte.
Me të nisur faza përmbyllëse e gjykimit, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill të vitit 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ata po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.



