Garancitë e sigurisë amerikane duhet të vijnë para kompromiseve të Ukrainës – thotë Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se SHBA-të i kanë kërkuar Ukrainës të heqë dorë nga pretendimet territoriale ndaj zonave të pushtuara nga Rusia, duke premtuar garanci sigurie në këmbim.
“Miqtë tanë amerikanë po përgatisin garanci sigurie. Por ata thanë, së pari ky shkëmbim territoresh, ose diçka e tillë, dhe pastaj garancitë e sigurisë”, tha ai të hënën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Unë besoj se garancitë e sigurisë duhet të vijnë të parat”.
Zelensky shtoi se Ukraina është e gatshme të bëjë kompromis, por kjo nuk do të thotë “ne do të heqim dorë nga territoret tona”.
“Çfarë kompromisi jemi të gatshëm të bëjmë? Jo një që do t’i lejojë Rusisë të rikuperohet shpejt dhe të vijë përsëri dhe të na pushtojë”, tha ai.
Zelensky kujtoi se Ukraina kishte garanci sigurie në Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, sipas të cilit Kievi pranoi të hiqte dorë nga armët bërthamore sovjetike të vendosura në territorin e saj pas shpërbërjes së BRSS-së.
“Ne hoqëm dorë nga armët tona bërthamore dhe të tjera. Shumë aeroplanë, dhjetëra. Ne i hoqëm dorë prej tyre dhe morëm garanci sigurie, sovraniteti dhe pavarësie”, tha ai.
“Në fund të fundit, nuk kemi asnjë nga ato armë dhe nuk kemi garanci sigurie. Askush nuk e mbrojti pavarësinë tonë”.
Ai shtoi se çdo garanci e re sigurie do të hyjë në fuqi vetëm pas një votimi në Kongres.
Ndërkohë, Kremlini ka thënë se negociatat e Gjenevës për Ukrainën do të mbulojnë një gamë më të gjerë temash krahasuar me raundet në Abu Dhabi, duke përfshirë çështjet kryesore që lidhen me territoret.
Duke folur në një konferencë shtypi në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se diskutimi i këtyre çështjeve kërkon praninë e kreut të delegacionit rus, i cili mungonte në bisedimet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Këtë herë synohet të diskutohet një spektër më i gjerë çështjesh, duke përfshirë, në fakt, çështjet kryesore që kanë të bëjnë si me territoret ashtu edhe me gjithçka tjetër. Këto lidhen me kërkesat tona. Këtu na duhet prania e kryenegociatorit, përkatësisht Vladimir Medinsky”, tha ai.



