Ushtria amerikane godet një anije të dyshuar për trafik droge në Karaibe

Ushtria e Shteteve të Bashkuara tha se tre persona të dyshuar si narkoterroristë u vranë të premten gjatë një sulmi ajror në Karaibe ndaj një mjeti lundrues që dyshohej se ishte i lidhur me organizata të shpallura terroriste dhe me trafik droge, transmeton Anadolu.
“Më 13 shkurt, me urdhër të komandantit të Komandës Jugore të SHBA-së, Gjeneral Francis L. Donovan, Task-Forca e Përbashkët ‘Southern Spear’ kreu një goditje vdekjeprurëse ndaj një mjeti lundrues të operuar nga organizata të shpallura terroriste”, njoftoi SOUTHCOM-i në rrjetin social amerikan X.
Sipas njoftimit, inteligjenca ka konfirmuar se mjeti lundrues “po lëvizte përgjatë rrugëve të njohura të trafikut të drogës në Karaibe dhe ishte i përfshirë në operacione të trafikut të narkotikëve”.
Po ashtu u bë e ditur se gjatë operacionit nuk pati të lënduar në radhët e forcave ushtarake amerikane.



