Zëvendëskryeministri Bekim Sali takon ambasadorin çek: Integrimi evropian dhe reformat në fokus

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi një takim me ambasadorin e Republikës Çeke në Maqedoninë e Veriut, Jaroslav Ludva, ku në qendër të diskutimeve ishte procesi i integrimit evropian dhe prioritetet reformuese të vendit.
Sipas Saliut, takimi u fokusua në avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha që lidhen drejtpërdrejt me rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Diskutuam mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha që lidhen me procesin e anëtarësimit, shkëmbimin e përvojave, shfrytëzimin e fondeve evropiane dhe forcimin e kapaciteteve institucionale”, theksoi ai.
Zëvendëskryeministri vlerësoi rolin e Republikës Çeke si një partner të rëndësishëm në mbështetje të aspiratave evropiane të Maqedonisë së Veriut. “Republika Çeke mbetet një partner i rëndësishëm dhe mbështetës i perspektivës evropiane të vendit tonë”, u shpreh Sali.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përshpejtimit të reformave të nevojshme në kuadër të procesit të integrimit evropian.



