Rreze veprimi deri në 200 metra/ Çfarë mund të zbulojnë kamerat e sistemit “Qytet i Sigurt”?

Me nisjen e sistemit “Qyteti i Sigurt”, në rrugët dhe bulevardet e Maqedonisë së Veriut është aktivizuar një mënyrë e re e kontrollit të trafikut, e bazuar në kamerat e vendosura (radar-video) me saktësi të lartë teknike. Edhe pse në publik flitet më së shumti për gjobat, pyetja kryesore është – si funksionon sistemi pasi regjistrohet një shkelje dhe çfarë saktësisht mund të “shohin” dhe matin këto kamera.

Në momentin kur një automjet tejkalon shpejtësinë e lejuar, kalon në semafor të kuq, regjistrohet me regjistrim të skaduar ose ndalon në vend të ndaluar, kamera e detekton automatikisht ngjarjen. Sistemi punon vazhdimisht, 24 orë në ditë, pavarësisht kushteve atmosferike, dhe nuk varet nga prania fizike e policisë në terren.

Karakteristika kryesore e këtyre pajisjeve është se nuk janë kamera të zakonshme mbikëqyrjeje, por sisteme të integruara matëse. Kamerat përdorin teknologji radarike për matjen e shpejtësisë, në kombinim me analizë video, duke siguruar saktësi të lartë dhe konfirmim shtesë të shkeljes. Matja e shpejtësisë bëhet nga rreth 10 metra deri në mbi 200 metra, që do të thotë se shkelja mund të regjistrohet shumë përpara se shoferi ta vërejë kamerën.

Specifikimet teknike mundësojnë monitorimin e njëkohshëm të disa korsive. Në varësi të vendosjes, një kamerë mund të kontrollojë paralelisht deri në katër korsi, në të njëjtin drejtim ose në drejtim të kundërt të lëvizjes. Në secilën korsi, sistemi ndjek disa automjete njëkohësisht pa përzierje të të dhënave, duke përcaktuar saktësisht në cilën korsi ka lëvizur automjeti dhe me çfarë shpejtësie.

Kamerat janë të pajisura me ndriçim infra të kuq, që mundëson regjistrim të qartë edhe natën, pa verbuar shoferët. Sistemi lexon targat edhe në shpejtësi të larta, madje mbi 200 km/h, si dhe në kushte shiu, mjegulle apo dukshmëri të reduktuar. Përveç kësaj, softueri bën dallimin mes llojeve të automjeteve: vetura, mjete transporti, autobusë dhe motoçikleta, gjë e rëndësishme për segmentet me kufizime të ndryshme.

Pas detektimit, kamera gjeneron automatikisht një paketë provash. Ajo përfshin fotografi të qartë të targës, fotografi të automjetit në kontekst më të gjerë të trafikut, video të shkurtër të lëvizjes së automjetit, si dhe të dhëna teknike, datën dhe orën e saktë, lokacionin, shpejtësinë e matur dhe shpejtësinë e lejuar në atë rrugë. Të gjitha të dhënat janë të mbrojtura në formë digjitale dhe të lidhura me pajisjen konkrete, duke përjashtuar mundësinë e ndryshimeve të mëvonshme. Një pjesë e tyre i dërgohet pronarit të automjetit bashkë me gjobën, ndërsa të tjerat ruhen në rast kontesti apo verifikimi të shkeljes.

Paralelisht, sistemi lexon automatikisht targën dhe e krahason me bazat e të dhënave, duke përcaktuar pronarin e automjetit dhe statusin e regjistrimit. Në rastet kur detektohet targë e fshehur, e dëmtuar apo e palexueshme, kjo regjistrohet si shkelje e veçantë.

Bazuar në këto të dhëna teknike, përgatitet urdhri për kundërvajtje sipas dispozitave ligjore. Kamera nuk përcakton shumën e gjobës, pasi ajo është e përcaktuar rreptësisht me ligj, duke përfshirë edhe tolerancat ligjore, veçanërisht për matjen e shpejtësisë.

Sipas institucioneve, sistemi “Qyteti i Sigurt” synon të vendosë kontroll të vazhdueshëm dhe të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, pa selektivitet dhe pa faktor njerëzor. Fokusi, siç theksohet, nuk është vetëm ndëshkimi, por edhe parandalimi, disiplinimi dhe ulja e numrit të aksidenteve rrugore, veçanërisht në pikat kritike dhe me frekuencë të lartë trafiku.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button