VV kundërshton kërkesën për dënime ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Çlirimi nuk është krim

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë së Hagës për dënime prej 45 vjetësh ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje politike që synon të rishkruajë historinë.

Sipas VV-së, rezistenca e UÇK-së kundër dhunës serbe nuk mund të konsiderohet veprim kriminal, dhe çlirimi i Kosovës nuk është krim.

Partia thekson se Gjykata Speciale ka lindur nga interesa politike ndërkombëtare dhe jo nga nevoja për drejtësi të vërtetë.

“Kërkesa e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është një akt për kërkim drejtësie por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës. Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë. Kjo është e vërteta. UÇK ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale duke mbrojtur popullin me gjithë forcën në dispozicion”, thuhet në reagimin e partisë.
VV-ja kritikoi edhe pretendimin se shënjestrimi i individëve gjatë luftës ishte produkt i një fushëveprimi të gjerë të komanduar nga drejtues të UÇK-së. Sipas lëvizjes, kjo përpjekje është një operacion diskursiv që synon të zëvendësojë kontekstin politik të luftës me një skemë penale abstrakte, duke trajtuar rezistencën si projekt kriminal të organizuar.
“Nuk ka se si të ketë pasur plane individuale për krime kundër njerëzimit, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur kurrë, në asnjë rrethanë, plane të tilla. Krimet kundër njerëzimit nuk janë veprime të izoluara, por kërkojnë aparat zbatues ose strukturë shtetërore dhe mekanizma sistematikë dhune. Asnjë njësi e UÇK-së nuk ka pasur ndonjëherë si synim, dhe as nuk ka vepruar, sipas një metode të tillë monstruoze”, thuhet tutje në reagim.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button