Alcaraz më i riu i të gjitha kohërave që kompleton Grande Slam

Carlos Alcaraz ka shkruar historinë e tenisit botëror pas triumfit në finalen e Australian Open ndaj Novak Djokoviçit.

Me këtë fitore, tenisti spanjoll ka kompletuar “Career Grand Slam”, duke fituar të katër turnetë kryesorë në moshën vetëm 22 vjeç e 272 ditë.

Në finalen e zhvilluar në Melburn, Alcaraz triumfoi pas katër seteve ndaj serbit Novak Djokoviç, i cili synonte trofeun e 25-të Grand Slam në karrierë për të kaluar rekordin e Margaret Court. Ish-tenistja australiane ishte e pranishme në tribunë për këtë finale historike.

Megjithatë, ishte Alcaraz ai që festoi në fund, duke shtuar në palmares edhe trofeun e Australian Open, i vetmi që i mungonte pas triumfeve në Wimbledon, Roland Garros dhe US Open.

Me këtë sukses, Alcaraz është bërë tenisti më i ri në histori që kompleton Grand Slam-in e karrierës. Përballja mes dy gjeneratave, spanjollit 22-vjeçar dhe Djokoviçit 38-vjeçar, i ka mundësuar Alcarazit të shkëputet edhe më shumë në renditjen ATP.

Aktualisht, Alcaraz kryeson renditjen me 13 mijë e 650 pikë, përpara Jannik Sinnerit me 10 mijë e 300 pikë dhe Novak Djokoviçit me 5 mijë e 280 pikë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button