Berisha paralajmëron ashpërsim të protestave

I sapo kthyer nga Strasburgu, ku mori pjesë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Sali Berisha paralajmëroi ashpërsim të aksionit opozitar në sheshe me qytetarët, ku këta të fundit i sheh si e vetmja mundësi për të larguar qeverinë “Rama”.

“Termometri i zemërimit po shkon në nivele më të larta tek qytetarët.”
“Ne do informojmë për protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe Shqipëria në ditët në vijim. Opozita është në këmbë, është e vendosur të përballet dhëmb për dhëmb me këtë regjim të turpshëm. Me këtë regjim kriminal. Me këtë regjim kleptokratik. Me këtë narko-regjim”.

Kundërshtarët e tij politik i kujtuan edhe në këtë dalje kushtet e panegociueshme:
“Duhet të japë dorëheqjen që të krijojmë qeveri teknike për të bërë zgjedhje dhe të mos bllokohet drejtësia.”

Sali Berisha nuk ka as më të voglin dyshim kur thotë se Edi Rama jo vetëm që nuk do ia heqë imunitetin Zv/Kryeministres Belinda Balluku, por shton se maxhoranca po shkon drejt djegies së afatit tre mujor për kërkesën e SPAK-ut.

“Ky është një variant, por u siguroj se në asnjë variant, Edi Rama nuk pranon t’i heqë imunitetin Lubi Ballukut, sepse e di që në tre rreshta, dy janë për Ramën në atë dosje. Mund ta largojë si zëvendëskryeministre dhe të rrijë një prestanome në vend të saj aty”.

Çështja “Balluku”, ajo e “Akshit”, si dhe lidhjet e qeverisë me kartelet e drogës, Berisha tha se ishin në fokus të denoncimeve të bëra përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

“Informuam se Rama përbën rrezik madhor, padrino i karteleve të drogës në Europë, vendin e parë për marihuanën, aksionere për kokainën dhe heroinën, transportuesit kryesor të drogës në portet e Europës dhe kanë porte të lira në të gjitha portet e Shqipërisë”.

Kryedemokrati tha se kishte informuar miqtë e tij në Strasburg edhe sa i përket rrezikut që i kanoset vendit lidhur me pastrimin e parave të karteleve të drogës në sektorin e ndërtimit.

Tv Klan

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button