Dhjetëra të arrestuar në New York pas protestës kundër ICE-së në Manhattan

Dhjetëra protestues u arrestuan në Manhattan, New York të martën në mbrëmje, pasi organizuan protestë në hollin e një hoteli në TriBeCa, i cili sipas tyre strehonte agjentë federalë të imigracionit të përfshirë në goditjen e administratës së Trumpit kundër imigracionit, raportoi “The New York Times”, transmeton Anadolu.
Më shumë se 100 protestues u mblodhën brenda Hilton Garden Inn në Sixth Avenue pranë Canal Street, duke denoncuar agjencinë e Imigracionit dhe Doganave (ICE) me thirrje dhe slogane anti-ICE të shtypura në bluzat e tyre të zeza.
Protestuesit kritikuan Hilton, duke pretenduar se kompania po ofronte akomodim për agjentët e ICE-së. Stafi dhe mysafirët e hotelit dukeshin të hutuar nga protesta dhe nuk ishte menjëherë e qartë nëse agjentët e ICE-së po qëndronin në hotel.
Oficerët e policisë hynë në hollin e Hilton-it dhe paralajmëruan se kushdo që refuzonte të largohej do të arrestohej, duke bërë që shumë të dilnin ndërsa gazetarët u detyruan gjithashtu të dilnin kurse rreth 50 protestues mbetën brenda.
Më vonë, oficerët nga Grupi i Përgjigjes Strategjike të Departamentit të Policisë hynë për të arrestuar protestuesit e mbetur. Policia tha se pati arrestime “të shumta”, por nuk u publikuan informacione të menjëhershme mbi numrin e të ndaluarve ose akuzat.
Protesta në Manhattan pasoi një demonstrim të ngjashëm në Minneapolis pas vdekjes së Renee Nicole Macklin Good, nënë e tre fëmijëve dhe Alex Jeffrey Pretti, një infermier i njësisë së kujdesit intensiv, të cilët u qëlluan për vdekje.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së tha se të dy individët përbënin kërcënim për agjentët, një pretendim i kundërshtuar nga politikanët, gazetarët dhe grupet e të drejtave civile duke cituar pamje video nga vendi i ngjarjes.
Vdekjet e njëpasnjëshme shkaktuar protesta në të gjithë Minesotën dhe më gjerë në SHBA, me demonstruesit që kërkojnë llogaridhënie, transparencë dhe hetime të pavarura mbi veprimet federale të zbatimit të ligjit për imigracionin.



