Europoli godet rrjetin gjigant të drogave sintetike në Evropë

Europoli ka njoftuar se kanë goditur një nga rrjetet më të mëdha të drogës sintetike në Evropë, duke shkatërruar 24 laboratorë në shkallë industriale e duke sekuestruar rreth 1,000 tonë kimikate që janë përdorur për prodhimin e drogave MDMA, amfetaminë dhe metamfetaminë.
Sipas Europolit, operacioni njëvjeçar, i cilësuar si më i madhi i realizuar ndonjëherë kundër prodhimit dhe shpërndarjes së drogave sintetike, është goditje e madhe ndaj krimit të organizuar në disa shtete evropiane.
“Kam kohë që punoj në këtë fushë dhe ky është pa dyshim operacioni më i madh që kemi zhvilluar ndonjëherë kundër prodhimit dhe shpërndarjes së drogave sintetike”, ka deklaruar për AFP-në, Andy Kraag, shef i Qendrës Evropiane për Krimin e Organizuar në Europol.
Sipas tij, ky operacion ka dëmtuar rëndë grupet kriminale të përfshira në trafikimin e këtyre drogave.
Operacioni përfshiu policinë e Belgjikës, Çekisë, Gjermanisë, Holandës, Polonisë dhe Spanjës, ndërsa u arrestuan më shumë se 85 persona, përfshirë edhe dy të dyshuarit kryesorë, të dy shtetas polakë.
Hetimet kishin nisur në vitin 2024, pasi policia polake vuri re një rrjet që importonte sasi të mëdha kimikatesh të ligjshme nga Kina dhe India. Më pas u zbulua se këto substanca ripaketoheshin, etiketoheshin gabimisht dhe shpërndaheshin nëpër Bashkimin Evropian, ku përdoreshin në laboratorë për prodhimin e drogave sintetike.
Shumica e të arrestuarve janë shtetas polakë, por autoritetet dyshojnë se në aktivitetet kriminale kanë qenë të përfshirë edhe shtetas belgë dhe holandezë.
Përveç rreziqeve serioze për shëndetin publik, autoritetet theksojnë se ky aktivitet kriminal shoqërohet edhe me dhunë, korrupsion dhe pastrim parash.
Prodhimi i drogave sintetike ka gjithashtu ndikim të madh negativ në mjedis. Gjatë operacionit janë sekuestruar më shumë se 120 mijë litra mbetje kimike toksike, të cilat zakonisht hidhen në tokë ose në lumenj.



