Ministria e Shëndetësisë: Projektligji për duhanin nuk dëmton gastronominë, por mbron ambientin e shëndetshëm të punës

Projektligji për mbrojtje nga pirja e duhanit, i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë, parasheh ndalimin e pirjes së duhanit në të gjitha hapësirat e mbyllura publike dhe të punës, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Me këtë vendoset një rregull i qartë dhe universal që mbron të gjithë qytetarët, pa përjashtime dhe pa zona gri, bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas standardeve të shëndetit publik, pirja e duhanit është një zgjedhje personale, por hapësira e përbashkët e mbyllur nuk guxon të jetë vend ku kjo zgjedhje shndërrohet në rrezik për shëndetin e të tjerëve.
“Ligji nuk rregullon nëse dikush do të pijë duhan apo jo, por përcakton qartë se ku kjo nuk guxon të praktikohet, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të të gjithë të pranishmëve. Cilësia e ajrit në hapësirat e mbyllura lidhet drejtpërdrejt me rezultatet shëndetësore. Ajri i pastër nënkupton më pak irritime të rrugëve të frymëmarrjes, më pak sulme astmatike dhe rrezik të zvogëluar për zhvillimin e sëmundjeve kronike.
Projektligji e trajton ekspozimin ndaj tymit të duhanit si çështje të sigurisë dhe shëndetit në punë, e jo si çështje stili jetese. Në objektet gastronomike, pikërisht personeli është më gjatë dhe më intensivisht i ekspozuar ndaj tymit të cigareve dhe produkteve të tjera të duhanit dhe nikotinës, prandaj shteti ka një obligim të qartë të mbrojë të drejtën e të punësuarve për një mjedis pune të shëndetshëm dhe të sigurt.
“Përvojat nga vendet evropiane që tashmë kanë zbatuar zgjidhje të tilla ligjore, si Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe shumë të tjera, tregojnë se këto masa nuk përbëjnë goditje për gastronominë dhe të ardhurat e saj, por një tranzicion drejt një ambienti më të rregulluar, më cilësor dhe më të parashikueshëm në objektet gastronomike”, shpjegon ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ai shton se masa të tilla mundësojnë frekuentim më të madh nga familjet, turistët dhe qytetarët që preferojnë ajër të pastër, gjë që në afat të gjatë paraqet përfitim të drejtpërdrejtë edhe për vetë objektet gastronomike.



