30 ditë paraburgim për tetë persona, për të tjerët masa kujdesi për dëmin prej 4.8 milionë eurosh ndaj Buxhetit

Paraburgim 30-ditor është caktuar për tetë persona, ndërsa për të tjerët janë shqiptuar masa kujdesi. Në aksionin e prokurorisë, 20 persona dyshohen për evazion fiskal, mashtrime dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Biznesmenë dhe të punësuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP) kanë formuar një grup kriminal dhe, përmes keqpërdorimeve të shumta tatimore, i kanë shkaktuar buxhetit dëm prej 4.8 milionë eurosh.
Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur hetim ndaj 20 personave të dyshuar për disa vepra penale të kryera në periudhën 2023–2025. I dyshuari kryesor, shtetas serb, administrator i dy kompanive, së bashku me dy të punësuar në DAP, duke paraqitur deklarata të pasakta dhe me ndihmën e zyrtarëve tatimorë, ka shmangur pagesën e tatimeve në vlerë mbi 11 milionë denarë.
Nën udhëheqjen e një prokurori publik nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me asistencën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë kryer kontrolle në 16 lokacione në mbarë vendin. Janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht dokumentacion fiktiv, mjete monetare, armë dhe vula të falsifikuara të personave juridikë, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar.



