Shefi i policisë së Iranit: Qetësia është rikthyer pas një jave trazirash

Shefi i policisë së Iranit, Ahmadreza Radan tha se qetësia u rikthye në të gjithë vendin pas ditësh trazirash, duke e përshkruar natën e së enjtes si “natën më të qetë që nga fillimi i trazirave” dhe duke hedhur poshtë thirrjet e ripërtërira për protesta nga jashtë Iranit, raporton Press TV, transmeton Anadolu.
Gjenerali i Brigadës, Radan tha se “nuk u raportuan tubime në të gjithë vendin pavarësisht thirrjeve për trazira të së enjtes në mbrëmje”, duke shtuar se “qetësia u rikthye pas një jave trazirash” gjatë natës.
“Me ndihmën e Zotit dhe me praninë e vetëdijshme të popullit, u ngul gozhda e fundit në arkivolin e terrorizmit”, tha Radan. Autoritetet thonë se “protestat fillestare për kushtet ekonomike u përshkallëzuan në trazira të dhunshme që përfshinin sulme ndaj pronës publike dhe forcave të sigurisë”.
Autoritetet iraniane njoftuan “arrestime të shumta të lidhura me trazirat në disa provinca, përfshirë Fars, Kerman, Hormozgan dhe Golestan”, duke thënë se “armë, eksplozivë dhe municione të nivelit ushtarak u sekuestruan gjatë operacioneve të udhëhequra nga inteligjenca”.
Zyrtarët e mbrojtjes dhe sigurisë akuzuan SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen dhe financimin e dhunës, pretendime të mohuara nga Washingtoni dhe Tel Avivi.
Protestat antiqeveritare filluan më 28 dhjetor në kryeqytetin Teheran, kur dyqanxhinjtë, tregtarët dhe pronarët e bizneseve të vogla organizuan greva dhe demonstrata për të protestuar kundër inflacionit në rritje, rënies së rialit dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike.
Një grup i të drejtave të njeriut me bazë në SHBA tha se të paktën 2.677 persona u vranë gjatë protestave dhe gati 19.100 të tjerë u arrestuan ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë publikuar ende një numër zyrtar të viktimave.
Demonstratat që atëherë janë përhapur në shumë qytete dhe janë përshkallëzuar në shprehje pakënaqësie antiqeveritare që përfshijnë punëtorë, studentë dhe të tjerë. Zyrtarët e qeverisë iraniane kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e asaj që ata e përshkruan si “trazira” dhe “terrorizëm”.



