Viti 90: Hyrja e popullit në politikë

U bëjmë thirrje të gjithë atyre që u ka mbetur në deje gjak burrëror dhe që janë të bindur që e gjithë propaganda komuniste fund e krye është mashtrim, të ngrihen me zërin e përbashkët, menjëherë në ndeshjen e 25 marsit Besa-Partizani pa frikë dhe me kurajë e mënyrë paqësore, në minutën e 80 të lojës. Të ngrihen të gjithë përnjëherësh me dy gishtat lart duke thirrur fort pa pushim: Liri-demokraci. Mjaft kemi ndenjur si plehrat. Le t’i lajmë më gjakun tonë shkallët e stadiumit. Ata që do të bien, brezat do t’i kujtojnë si simbole të lirisë së njeriut. (Trakt anonim i hedhur në Kavajë, më 25 mars 1990)

Enis SULSTAROVA, Tiranë

Krisja e unitetit 

Në vitin 1990, Partia e Punës e Shqipërisë kishte 45 vite që sundonte në emër të popullit. Faktikisht, regjimi politik totalitar, i instaluar në Shqipëri, e përfshinte popullin në qeverisje aq sa duhej, sa për ta pajisur diktaturën me një maskë legjitime. Zgjedhjet për Kuvendin Popullor zhvilloheshin në mënyrë periodike, në to merrte pjesë vetëm lista e Frontit Popullor (organizata e masave e Partisë) dhe 99,99% e zgjedhësve votonin për kandidatët e listës. Për 1 Maj, “populli” marshonte para udhëheqjes së Partisë i organizuar në kuadrate, sipas kategorive shoqërore: punëtorët, fshatarësia kooperativiste, intelektualët, ushtarët, rinia, pionierët. Këto nuk mund të ishin kategori politike, sepse populli përfytyrohej si një “trup i vetëm”, sipas njërës prej metaforave më të pëlqyera të regjimit komunist. Revolucioni supozohej se i kishte zhdukur dallimet klasore të shoqërisë borgjeze dhe tani kishte mbetur vetëm populli, një dhe i pandarë. Partia e justifikonte ekzistencën e saj me nevojën e profilaksisë: Partia duhej ta mbronte trupin shoqëror prej rreziqeve të jashtme dhe “parazitëve” të brendshëm. Uniteti parti-popull shprehej me anë të parullës: “Ç’thotë Partia bën populli, ç’do populli bën Partia!” Partia mishëronte vetëdijen e proletariatit; ajo ishte njëkohësisht zemra, truri dhe sistemi nervor që e përshkonte të gjithë trupin shoqëror dhe e vinte atë në lëvizje.

Rrëzimi i Murit të Berlinit, fundi i regjimeve komuniste në Europën Lindore, sidomos vrasja e diktatorit Çaushesku në Rumani, kriza e rëndë ekonomike brenda vendit dhe lëvizja demokratike dhe kombëtare e shqiptarëve në Jugosllavi, po i shkaktonin krisje mitit të unitetit parti-popull në Shqipëri. Të çarat e para në legjitimitetin e regjimit i ka renditur kronologjikisht Kastriot Dervishi te libri “Ngjarje të viteve 1990-1991” (Tiranë, ISKK, 2024). Të nxitur nga lajmet për ngjarjet në Europën Lindore, punëtorë dhe të rinj të Shkodrës, Tiranës dhe Kavajës nisën në janar tentativat e para për organizimin e tubimeve opozitare. U hodhën trakte e parulla kundërparti dhe u vunë lëndë plasëse pranë busteve dhe monumenteve të Stalinit. Në 25-26 mars në Kavajë, gjatë një ndeshjeje futbolli, shpërtheu demonstrata e parë kundërkomuniste, ku qytetarët u përleshën me policinë speciale (sampistët) dhe me njerëzit e Sigurimit.

Megjithëse vrasjet në kufi vijonin, regjimi tregohej i kujdesshëm në ushtrimin e dhunës në qendrat e mëdha urbane, në mënyrë që gjendja të mos dilte jashtë kontrollit dhe që të mos tërhiqej së tepërmi vëmendja e faktorit të jashtëm. Vërtet demonstruesit e ndaluar rriheshin në rajonet e policisë, por shumica e tyre lirohej pas disa ditësh, diçka që nuk ndodhte më parë, kur të arrestuarit për motive politike dënoheshin masivisht me anë të nenit famëkeq 55 të Kodit Penal, “për agjitacion e propagandë kundër shtetit”. Dobësimi i terrorit u dha më shumë guxim atyre që ishin të vendosur për të vepruar kundër sistemit. Më 16 prill në Shkodër u tentua të hidhej në erë busti i Enver Hoxhës, ndërsa më 16 qershor qytetarët shkodranë ceremoninë e varrimin e një të riu të vrarë në kufi e kthyen në protestë, gjatë së cilës hodhën parullat: “Poshtë Ramiz Alia!”, “Poshtë Partia!”, “Poshtë komunizmi!”, “Duam liri-demokraci” etj.

Sigurisht që goditja më e rëndë ndaj regjimit komunist ishte hyrja e disa mijëra qytetarëve në ambasadat e shteteve perëndimore në korrik. Ngjarja ishte një shprehje e hapur masive e dëshpërimit të popullit. Ndryshe nga mënyra se si vepronte në kufi, regjimi u detyrua të lejonte largimin jashtë shtetit të të gjithë atyre që kishin kërkuar azil në ambasada. Në mbledhjen e Byrosë Politike, të dt. 14 korrik, Ramiz Alia e pranonte se shumica e të larguarve nuk ishin vagabondë të papunë, por punëtorë, pra pjesëtarë të proletariatit, që supozohej të ishte shtylla kryesore e regjimit. Alia, në fjalën e tij, e pranonte se Partia kishte qenë e paralizuar gjatë krizës së ambasadave: “Mirëpo duhet patur parasysh se në Tiranë militojnë 25 mijë komunistë, por forca e tyre nuk u ndie fare, përkundrazi, dominonin parullat e armikut, të reaksionit të kolonës së pestë…” (cit. te Dervishi, Ngjarje, f. 108). Paralel me krizën e ambasadave në Tiranë, vijonin demonstratat kundërkomuniste në Kavajë, për shtypjen e të cilave u sollën ushtria dhe tanket. Gjatë përleshjeve me policinë dhe sampistët, më 10 korrik u vra Josif Budo, i cili më vonë do të shpallej dëshmori i parë i demokracisë. Më 25 gusht, në Korçë, u bë varrimi i një të riu që ishte vrarë ca ditë më parë nga policia kufitare. Në ceremoni u përfshinë disa qindra vetë, që thirrën “Liri-demokraci” dhe ngritën lart dy gishtat.

Vijimi i demonstratave dhe mundësia e përhapjes së tyre në qytete të tjera tregonte se, të paktën, një pjesë e popullit nuk e pranonte më Partinë si udhëheqëse dhe ishte në kërkim të një alternative politike. Pluralizmi politik ishte çështje kohe, por më e rëndësishme ishte pyetja nëse demokratizimi do të vinte përmes një procesi reformimi të kontrolluar nga Partia apo ai do të instalohej përmes revolucionit. Për ta testuar këtë, Partia e ktheu vëmendjen te shtresa e intelektualëve, sepse në gjirin e saj mund të krijohej partia opozitare, e cila do të mund t’i bashkonte vatrat e pakënaqësisë rreth një programi politik.

Më 12 gusht, Ramiz Alia u takua me një grup intelektualësh të përzgjedhur nga fusha të ndryshme të shkencave dhe arteve. Të pranishëm ishin dhe shkrimtari Ismail Kadare dhe mjeku Sali Berisha, i cili në shkurt 1991 do ta pasonte Azem Hajdarin në krye të Partisë Demokratike, subjektit të parë opozitar që do të formohej nga protestat studentore të dhjetorit 1990. Gjatë takimit me intelektualët, Alia tha se qëllimi i “reaksionit” ishte përmbysja e “pushtetit popullor” edhe në Shqipëri, pas përmbysjeve që kishin ndodhur në Europën Lindore. Mjeti më i përshtatshëm për ta realizuar këtë nuk do të ishte sulmi i hapur nga jashtë, por rruga paqësore, duke krijuar incidente brenda vendit, duke ngritur masat në protesta dhe duke minuar besimin e popullit te Partia. Me fjalë të tjera, Alia po u maste pulsin intelektualëve të pranishëm: a do të rreshtoheshin ata me Partinë apo me “reaksionin”? Partia ishte e gatshme të toleronte pluralizmin e mendimit, por jo pluralizmin politik që, sipas Alisë, e kërkonte me ngulm “reaksioni”. Pasi problemi u shtrua në këtë mënyrë, as Kadareja dhe as Berisha nuk guxuan ta shtronin idenë e pluralizmit partiak, kur u pyetën në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Alia. Kadareja u zmbraps duke thënë se “ky është një problem shumë i vështirë për t’u trajtuar aktualisht, sepse këtu ka dhe shumë ngarkesë politike”; ndërsa Berisha tha se “për stadin aktual, ky popull nuk është përgatitur [për pluralizëm partiak]… që [liria e zgjedhjes politike] të mos jetë e sanksionuar në Kushtetutë unë jam dakord” dhe shtoi shprehjen angleze “never say never”. “Aktualisht”, “për stadin aktual”, “kurrë mos thuaj kurrë”; dukeshin si shprehje oportuniste, por në fakt ato fshihnin një të vërtetë më të thellë: Partia nuk e kishte më mandatin historik. Ajo mund të sundonte tani për tani, për hir të rrethanave, por roli i saj në të ardhmen ishte vënë në pikëpyetje. 

Letërkëmbimi midis Alisë dhe Kadaresë

Pas arratisjes në Francë në tetor 1990, Ismail Kadareja botoi letërkëmbimin që kishte pasur me Ramiz Alinë gjatë atij viti. Analizimi i letrave të Kadaresë dhe i përgjigjes së Alisë është me interes për mënyrën se po trajtohej teorikisht çarja që po ndodhte në unitetin parti-popull. Nëse Alisë, si kreu i sistemit totalitar, i takonte, si të thuash, të fliste në emër të popullit, Kadareja merrte përsipër rolin e intelektualit, që ia thotë të vërtetën pushtetit.

Shkrimtari e adreson letrën e parë, të datuar më 3 maj 1990, te Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH. Përmendja vetëm e këtij ofiqi dhe jo i atij të sekretarit të parë të Partisë, shfaq qysh në fillim dëshirën e shkrimtarit për ta parë udhëheqësin në radhë të parë në rolin e përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe popullit, paçka dihej se Kuvendi Popullor ishte një organ i nënshtruar ndaj Partisë. Kadareja i shkruan Alisë se populli i kishte pritur shumë mirë masat e vakëta që ishin marrë në fillim të vitit 1990 për “demokratizimin” e ekonomisë dhe të shoqërisë. Mirëpo, jo të gjithë e përkrahnin “demokratizimin” e nisur nga Alia: “Dogmatikët dhe konservatorët shqiptarë… që, për interesa meskine, nuk duan të bëhet asnjë ndryshim… e paraqesin qëndrimin e tyre gjoja nga pozita ultrarevolucionare” (Kadare, “Letërkëmbim me presidentin”. Tiranë, Onufri, 2005, f. 11). Dogmatikët dhe konservatorët ishin grupuar sidomos në Ministrinë e Brendshme, për të cilën Kadareja shkruante se kishte një sjellje kundër-popull. Për funksionarët më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme flitej shumë keq në popull dhe populli nuk mund të gabonte: “Është e mundur që populli shqiptar të ketë humbur sensin dhe nonsensin politik sa të bëjë akuza të kota?… Unë mendoj se ky popull e ka ende këtë sens dhe se ai e di kë do, siç e di gjithashtu se kë nuk do” (po aty, f. 18).

Kadareja jepte shembuj të keqtrajtimit të disa intelektualëve nga Ministria e Punëve të Brendshme, me anë të të cilëve kërkonte të dëshmonte se në këtë institucion ishte krijuar një “frymë e përgjithshme kundër inteligjencës”, por që realisht “inteligjenca, nuk është veçse një eufemizëm, prapa së cilës fare lehtë mund të qëndrojnë masat demokratike të Plenumeve 9-të e 10-të” (f. 17-18). Pra, duke sulmuar intelektualët, dogmatikët po godisnin frymën e reformave që po sillte Ramiz Alia, por në fund të fundit edhe popullin që i kërkonte reformat. Në letrën e Kadaresë te “populli” përfshiheshin masat punonjëse, intelektualët dhe pjesa përparimtare e udhëheqjes partiake që përfaqësohej nga Ramiz Alia. Kundërshtarët e popullit ishin ata funksionarë të shtetit që gëzonin privilegje “në një vend socialist ku prona është e përbashkët” (f. 22) dhe që mendonin se “socializëm dhe demokraci janë dy nocione të papajtueshme, që përjashtojnë njëra-tjetrën” (f. 23). Mirëpo, shkruante Kadareja, do të ishte “madhështore në qoftë se Shqipëria arrin t’i tregojë botës se socializmi mund të jetë rend demokratik” (f. 24). Ai i bënte thirrje Alisë që të udhëhiqte popullin në rrugën drejt demokracisë: “Populli është me ju. Një grusht forcash të errëta që kundërshtojnë këtë proces janë të papërfillshme në krahasim me shtatë milionë shqiptarët që i urojnë këtij vendi një të ardhme që ai do ta ketë me siguri”. (f. 26).

Ramiz Alia iu përgjigj Kadaresë me letrën e datës 21 maj 1990. Alia argumentonte se problemet e ngritura nga Kadareja nuk kishin të bënin me kundërvënien ndaj popullit nga aparati i dhunës së shtetit, por ishin probleme anësore që mund të zgjidheshin brenda sistemit ekzistues. Nëse kishte shkelje nga Ministria e Brendshme, ato ishin të papranueshme dhe do të hetoheshin, mirëpo ishin raste të veçuara që nuk përfaqësonin ndonjë krah “konservator” në Parti dhe shtet. Ai ishte i kujdesshëm që të mos paraqiste asnjë çarje në binomin parti-popull, madje i tërheq vëmendjen shkrimtarit se në letrën e tij nuk ka përmendur asnjëherë fjalën “Parti” krahas fjalës “popull” (f. 31). Edhe reformat që përmendte Kadareja, Alia i paraqiste si përshtatje me kushtet e krijuara në botën e jashtme. Reaksioni, “nga Perëndimi e Lindja”, donte t’i diktonte Shqipërisë tregun e lirë, pronën private, hapjen e dyerve ndaj koncesioneve të huaja dhe krijimin e partive kundërsocialiste, duke i paraqitur ato si modele universale, kur në fakt ato rrezikonin jo vetëm socializmin, por edhe pavarësinë e atdheut. Përballë këtij presioni, Alia shkruante se të gjithë duhet të grupoheshin rreth Partisë. Në fund të letrës, Alia kundërshtonte çdo trajtë të organizimit politik jashtë Partisë: “Askush i vetëm, asnjë forcë, cilado qoftë ajo, nuk mund të bëjë asgjë pa Partinë, jashtë rrymës së vrullshme të saj. Partia ecën në rrugë të drejtë, i hedh hapat me mençuri e siguri” (f. 37). Ndërsa Kadareja në letrën e tij theksonte pagabueshmërinë e popullit, Alia theksonte pagabueshmërinë e Partisë.

Letra e dytë e Kadaresë drejtuar Ramiz Alisë mbante datën 24 tetor 1990 dhe dërgohej nga Parisi. Kësaj radhe, gjuha e shkrimtarit ishte e drejtpërdrejtë. Ai shkruante se përpjekjet e tij si intelektual për zbutjen e regjimit kishin dështuar dhe se ai nuk dëshironte të ishte i pranishëm “në një farsë të demokracisë dhe në vijimin e një iluzioni” (f. 43). Faji për gjendjen e krijuar ishte pikërisht i udhëheqjes së Partisë-shtet, e cila ishte shkëputur nga populli: “Pothuajse pa përjashtim shqiptarët kudo që ndodhen bëjnë pyetjen se çfarë e pengon ekipin që udhëheq të shikojë qartë atë çka e shikon tashmë çdo njeri i thjeshtë” (f. 45). Në letrën e dytë nuk flitej më për ruajtjen e socializmit, por për një mohim të gjithë sistemit dhe të ideologjisë mbi të cilën ai mbështetej: “Një hipotekë e tërë e padurueshme vazhdon të thellojë hendekun midis popullit dhe ekipit drejtues. Koncepte të papranueshme për liritë dhe të drejtat e njeriut, mungesa e respektit për kombin shqiptar dhe përkundrazi një kult i shfrenuar për marksizëm-leninizmin, parulla të tilla se ‘shqiptarët janë gati të hanë bar, por do të vazhdojnë të mbrojnë këtë doktrinë’, mbrojtja e Stalinit dhe sidomos konceptet antikushtetuese për pushtetin, janë vetëm një pjesë e kësaj hipoteke të errët” (f. 47-48). Uniteti i propaganduar me të madhe midis Partisë dhe popullit, realisht nuk ekzistonte, sepse kur Partia shpallte se do ta mbronte me gjak pushtetin popullor, njerëzit mendonin se kuptimi i vërtetë i parullës ishte se “do të mbrojmë postet dhe privilegjet qoftë edhe me gjak” (f. 48). Kadareja paralajmëronte se duke kujtuar se do ta frikësonte popullin me përmendjen e gjakut, në të vërtetë Partia po e nxiste drejt revolucionit. Në kushtet e krijuara, shansi i vetëm i “ekipit udhëheqës” ishte shmangia e gjakderdhjes me anë të kalimit sa më parë në pluralizëm politik (f. 43).

Në letrën e dytë, Kadareja nuk bënte përpjekje për të ruajtur frazeologjinë socialiste. Nuk shkruante më për mësimet e plenumeve, as për socializmin (demokratik), madje as për intelektualët si shtresë. Shenjuesit ishin rralluar: “populli” ndodhej përballë “ekipit udhëheqës”, në një marrëdhënie të pastër antagoniste, që mund të shpërthente në revolucion. Edhe përmbajtja retorike e “popullit” kishte ndryshuar, sepse ai nuk përbëhej më prej masave të punëtorëve, intelektualëve, rinisë, fshatarëve që përkrahin reformat e Partisë. Tani ai përbëhej nga “njerëzit e thjeshtë”, masa homogjene e të papushtetshmëve që kërkonte ndryshimin e sistemit. “Populli” nuk kishte pritur intelektualët, por kishte folur vetë me anë të mësymjes drejt ambasadave. Me arratisjen e tij në Paris, Kadareja nuk kishte bërë tjetër, veçse kishte përsëritur veprimin e “popullit”. “Ekipi udhëheqës” do ta humbte pushtetin, por e kishte ende shansin që tranzicioni të kryhej pa gjakderdhje. Letra e shkrimtarit mbyllej me këto dy fjali: “Është ora tragjike kur e ardhmja e tij [kombit] është vënë në peshoren e fatit. Historia do të jetë e pamëshirshme me ata që e patën mundësinë të ndalonin katastrofën dhe nuk e bënë këtë” (f. 48).

Dihet se si u zhvilluan ngjarjet më tej. Alia u përpoq të zgjaste agoninë e monizmit me një pluralizëm formal, ku krahas Partisë në zgjedhje do të merrnin pjesë organizatat leva të saj. Në fillim të dhjetorit nisën protestat studentore dhe më 12 dhjetor u formua Partia Demokratike, pesë ditë përpara se Kuvendi Popullor të miratonte lejimin e pluralizmit partiak.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button