Nga rënia e diktaturës moniste te konsolidimi i autoritarizmit konkurrues në Shqipëri

Nëse në fillimvitet 2000 ishte e qartë se në mungesë të reformave të thella, integrimi qe një objektiv i paarritshëm, ajo çka qeveritë e fundit kanë sjellë si risi është perceptimi se mjafton të projektohet së jashtmi imazhi i ndryshimit, pavarësisht se brenda vendit realiteti mund të jetë krejt tjetër. Për pasojë, shteti nuk premton më reforma radikale mbi përmirësimin e nivelit të demokracisë, pavarësinë e administratës, drejtësisë, arsimit, spitaleve, infrastrukturës etj. Përkundrazi, ai projekton në shoqëri një metarealitet.
Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë
Rënia e sistemit komunist në Shqipëri, gjatë fillimviteve 1990-të, përbën një nga rastet më të veçanta të tranzicioneve pastotalitare të ish-bllokut të Lindjes. Ndryshe nga vendet e Europës Qendrore, ku proceset e demokratizimit u shoqëruan nga negociata të gjera, rrëzimin e elitave të vjetra dhe zëvendësimin e tyre me elitat e reja që do të drejtonin procesin e tranzicionit dhe demokratizimit, Shqipëria u karakterizua nga një tranzicion i nisur si reagim ndaj krizës ekonomike dhe presionit shoqëror, por i menaxhuar në mënyrë të kontrolluar nga vetë elitat e vjetra politike të Partisë së Punës (PPSH), një pjesë e të cilave e vazhduan karrierën politike edhe pas fundit të regjimit. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990 që tashmë konsiderohet momenti themelor i shpalljes së pluralizmit politik, përfaqëson kulmin e revoltës shoqërore kundër një sistemi tashmë të delegjitimuar dhe rrëzimi i të cilit qe një eventualitet i pashmangshëm.
Në fundin e viteve 80-të, Shqipëria ndodhej në një krizë të thellë ekonomike dhe shoqërore. Modeli i centralizuar i ekonomisë dhe izolimi politik e kishin shteruar plotësisht vendin, duke prodhuar mungesa të rënda ushqimore, ndërprerje të energjisë elektrike dhe një kolaps të plotë të industrisë shtetërore. Ndërkohë, tentativat për reformat e brendshme dhe lëshimet e Ramiz Alisë nuk shënuan një hapje domethënëse, por një adaptim minimal që literatura e studimeve të tranzicionit e shpjegon si liberalizim i kontrolluar, pra lëshime të kontrolluara pa ndryshime strukturore.
Sipas tipologjive analitike të Linz & Stepan, Shqipëria ishte një regjim totalitar, i bazuar në një ideologji zyrtare të përhapur në mënyrë të kontrolluar, një parti-shtet moniste, polici politike të gjithanshme dhe ekonomi plotësisht shtetërore, me një mungesë totale të shoqërisë civile ose grupeve të tjera të pavarura në shoqëri. Në dallim nga posttotalitarizmat e Europës Lindore (p.sh. Hungaria apo Polonia) që kishin zhvilluar hapësira të kufizuara pluralizmi, Shqipëria mbeti deri në fund sistemi më uniformisht totalitar i kontinentit. Kjo e bëri transformimin e sistemit shumë më të kontrolluar nga elita e vjetër, ndërsa lëvizjet antikomuniste më së shumti qenë të paorganizuara, të varura nga dinamikat të brendshme të elitave politike dhe nga konçesionet e këtyre të fundit.
Roli i elitave të PPSH-së në menaxhimin e rënies së regjimit
Në kushtet e presionit ekonomik dhe të ndryshimeve ndërkombëtare, nomenklatura e vjetër kërkoi të shmangte një shpërthim të paparashikueshëm trazirash, duke iniciuar disa reforma kozmetike si: lejimin e televizioneve të huaja; rivendosjen e Ministrisë së Drejtësisë (e shfuqizuar nga Enver Hoxha në vitin 1966), tolerimin e riteve fetare, ndonëse zyrtarisht Shqipëria vijonte të mbetej një vend ateist; lejimin e kufizuar të investimeve të huaja; amnistinë për disa të burgosur politikë; pajisjen e qytetarëve me pasaportë dhe rritjen e retorikës së hapjes me Perëndimin. Sidoqoftë, këto nuk synonin transformimin e sistemit, por më tepër artikulonin një strategji politike të mbijetesës së drejtuesve të regjimit komunist, të cilët synonin të viheshin në krye të tranzicionit për ta ruajtur pushtetin e tyre, me aq sa ishte e mundur, dhe për ta përshtatur atë me sistemin e ri.
Në pranverën e vitit 1990, me shumë pak shpresë për përmirësimin e krizës ekonomike, vendi u përball me një rënie të graduale të disiplinës publike çka me kalimin e kohës do të sillte rrënimin e plotë të ekonomisë socialiste. Gjithnjë e më tepër punëtorë, nga ajo pakicë që ishin ende të punësuar, nuk paraqiteshin më në vendet e punës. Fshatarësia, që përbënte shumicën dërrmuese të popullsisë, nuk arrinte t’i furnizonte qytetet me produkte bujqësore dhe vendi qe në prag të zisë së urisë. Të revoltuar ndaj represionit 45-vjeçar, me kalimin e kohës njerëzit nisën të hakmerreshin ndaj shtetit përmes shkatërrimit të pronës shtetërore – përfshirë zyrat qeveritare dhe shkollat (Bernd Fischer & Jens Shmitt, A Concise History of Albania, Londër 2022, f.326). Në korrik, për herë të parë e ardhmja e regjimit u vendos në pikëpyetje, kur ai u përball me skenën e mijëra qytetarëve që përpiqeshin të hynin brenda ambasadave perëndimore në Tiranë për të kërkuar azil politik, ndërsa qindra të tjerë morën komandën e anijeve të ndryshkura në portin e Durrësit dhe u arratisën drejt Italisë. Muajt pasues vijuan me përhapjen masive të një mosbindjeje civile gjithnjë e më radikale, e cila u shfaq pothuajse në të gjitha qytetet dhe rrethet e Shqipërisë. Qeveria u gjend në pozitë edhe më të vështirë kur Ismail Kadare, shkrimtari më i shquar i Shqipërisë, tashmë me famë ndërkombëtare, kërkoi azil në Francë në tetor. Vetëm pak muaj më parë, në fund të vitit 1989, gjatë një konference mbi letërsinë të mbajtur në Tiranë, Kadare, në mënyrë të paprecedentë, i kishte shprehur publikisht kritikat ndaj ndërhyrjes së regjimit në letërsi, duke theksuar se “asnjë qeveri në botë nuk mundet as ta pengojë dhe as ta lejojë lirinë e një shkrimtari për të krijuar” (Miranda Vickers, Albanians a modern history, New York 1999, f. 213), ndërkohë që dhjetë vjet më parë, në vitin 1979, në një intervistë ai shprehej se “metoda e realizmit socialist, në kundërshtim me të gjitha blasfemitë që kanë lëshuar e lëshojnë mbi të propagandat e zeza, i jep shkrimtarit mundësi të pakufishme për të krijuar vepra letrare të nivelit më të lartë ideoartistik” (Ismail Kadare, Vepra Letrare 12: autobiografia e popullit në vargje; Reportazhe e shënime udhëtimi, Tiranë 1981). Kësisoj, qysh në dhjetor të vitit 1989 kishin filluar shenjat e para të njëfarë ndryshimi. Mirëpo, sikurse argumenton historiania Miranda Vickers, sinjalet e para të ndryshimit erdhën fillimisht nga inteligjencia e regjimit dhe nga brenda vetë PPSH-së, veçanërisht nga elita e saj urbane, gjithnjë e më e vetëdijshme mbi impaktin që do të sillte në rajon rënia e Murit të Berlinit më 9 Nëntor 1989. Teksa vëzhgonin lëvizjet popullore për ndryshim në Europën Lindore, veçanërisht transmetimin e vrasjes së diktatorit rumun Çaushesku, po bëhej gjithnjë e më e qartë se PPSH-ja nuk mund ta mbante edhe për shumë kohë monopolin e saj të pushtetit. Qeveria po përpiqej të realizonte një hapje të kontrolluar, por gjithsesi pa e vënë në diskutim monopolin e saj të pushtetit. Kësisoj, shtysa përfundimtare drejt pluralizmit politik, dhe bashkë me të edhe fundi i regjimit, erdhi nga studentët, të cilët, ndryshe nga shumica e intelektualëve, ishin të gatshëm të rrezikonin përballje të hapur me qeverinë në mungesë të plotësimit të kërkesave të tyre.
Lëvizja Studentore e Dhjetorit dhe përdorimi politik i saj për instalimin e një autokracie të re
Demonstratat e studentëve më 8 dhjetor 1990 shënuan momentin e parë të presionit të hapur shoqëror ndaj regjimit. Protestat e tyre filluan me kërkesa universitare (për kushtet e jetesës, përmirësimin e infrastrukturës së konvikteve, energjinë elektrike etj.) dhe vijuan shumë shpejt me kërkesën politike themelore për pluralizëm partiak. Nën një klimë shoqërore tej mase të tensionuar, pak ditë pas protestave në Qytetin Studenti, në përpjekje për të dialoguar me demonstruesit, Ramiz Alia cakton pedagogun e Fakultetit të Mjekësisë, Dr. Sali Berishën, si ndërmjetësues mes qeverisë dhe studentëve. Megjithatë, Berisha arriti ta kapitalizojë këtë pozicion për t’u vendosur në krye të lëvizjeve studentore, derisa më 12 dhjetor 1990 themelohet Partia Demokratike e Shqipërisë me kryetar vetë Berishën, pozicion që vijon ta ketë ende sot, 35 vjet më vonë. Prapëseprapë, do të duheshin edhe dy zgjedhje të tjera parlamentare përpara se vendi ta niste përfundimisht rrugëtimin drejt tranzicionit. Shqipëria nuk kishte përvojë me zgjedhjet pluraliste, gjithashtu nuk kishte një traditë ekzistuese në lidhje me garën elektorale të partive politike mbi bazën e programeve ku përfaqësoheshin shtresat e ndryshme të shoqërisë. Partia Demokratike e sapoformuar nuk kishte përvojë organizative, kapacitete shumë të kufizuara financiare, si dhe mjete minimale për ta përçuar mesazhin e tyre politik në të gjithë vendin. Në fushatën elektorale për zgjedhjet e para pluraliste të marsit 1991, PD-ja u përball me vështirësi sidomos në mobilizimin e elektoratit në zonat rurale të vendit, të cilat përbënin dhe pjesën më të madhe të popullsisë ku PPSH-ja vijonte të kishte bastionet e saj. Në mars, numri i anëtarëve në PD ishte rritur në 60 mijë veta, ndërsa në PPSH numri ishte ulur në 130 mijë, nga 147 mijë që kishte në Kongresin e Nëntë të PPSH më 1986 (Miranda Vickers, po aty, f.217). Nën një situatë politike të tensionuar, PPSH-ja fitoi 2/3 e vendeve në parlament dhe si kryetar i qeverisë së re u emërua Fatos Nano, asokohe një politikan i ri që do të merrte përsipër sfidën për reformimin e brendshëm të sistemit politik në vend. Menjëherë pas fitores në zgjedhje, qeveria e re nisi procesin e reformave të sistemit, ku u vendos përdorimi i një kushtetute të përkohshme që të garantonte pluralizmin politik, liria e besimeve fetare, si dhe ndryshimi i emrit të shtetit shqiptar nga Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (i vendosur në kushtetutën e vitit 1976) në Republikën e Shqipërisë. Njëherësh, në qershor të vitit 1991, gjatë Kongresit të Dhjetë të Partisë, Partia e Punës së Shqipërisë u riemërtua si Partia Socialiste e Shqipërisë. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, gjendja në vend qe e pashpresë. Varfëria kishte marrë përmasa tragjike, me paga rreth 20 dollarë në muaj dhe nivelin e papunësisë mbi 40 për qind, e vetmja shpresë për shqiptarët paraqitej emigracioni. Në maj të vitit 1991 u anulua ligji që ndalonte grevat dhe pak më vonë sindikatat e sapothemeluara organizuan një grevë masive ku morën pjesë rreth 300 mijë punëtorë nga të gjithë sektorët e ekonomisë në vend. E paaftë për t’i plotësuar kërkesat e grevistëve për rritje page, pas javës së katërt të grevës, Nano dha dorëheqjen dhe u vendos për krijimin e një koalicioni qeveritar të përbashkët për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira që do të mbaheshin në marsin e vitit 1992. Pak ditë më vonë u formua Qeveria e Stabilitetit Kombëtar me në krye ish ministrin Ylli Bufi, ku PS-ja do të kishte 12 ministri, PD-ja 7 ministri, kurse Partia Republikane, ajo Social Demokrate dhe Partia Agrare do të ndanin 5 ministritë e mbetura për ta bërë gati vendin për zgjedhjet e reja. Indinjata e votuesve përkundrejt krimeve makabre të regjimit komunist për 45 vjet me radhë u pasqyrua edhe në rezultatin e zgjedhjeve. Zgjedhjet e marsit 1992, pas shumë peripecish, trazirash shoqërore dhe mjerimi ekonomik, shpallën fitoren e PD-së me 62 për qind të votave në shkallë kombëtare, përkundër 25 për qind të PS-së. Megjithatë, pavarësisht rrëzimit nga pushteti të PS-së, e cila në vitin 1992 përbëhej nga ish përfaqësuesit e PPSH-së, fitorja e zgjedhjeve vetëm sa do t’i sofistikonte prirjet autokratike në vend, por pa i ndryshuar ato. Në administratë, polici, sistem gjyqësor dhe ekonomi, strukturat e trashëguara nga komunizmi mbetën kryesisht të njëjtat dhe sa herë një parti e re vinte në pushtet, u bë e zakonshme që të ndërrohej gjithë personeli i institucioneve shtetërore. Po njësoj si nën sistemin komunist, edhe në periudhën paskomuniste nëpunësit e administratës shtetërore duhej të ishin para së gjithash besnikë ndaj liderit suprem, pavarësisht aftësive apo kualifikimeve të tyre profesionale. Nga ana tjetër, në mungesë të një procesi dekomunistizimi elitat e vjetra vazhduan të mbeten funksionale dhe të përshtaten në sistemin e ri. Kjo vazhdimësi u bë më evidente në vitet pas vitit 1992, kur Sali Berisha, i zgjedhur si President i Republikës, filloi të përdorte institucionet shtetërore për të mbrojtur pozicionin e tij, duke kontrolluar median, administratën publike dhe sistemin gjyqësor ku gjyqtarët e sistemit komunist u zëvendësuan nga gjyqtarët e rinj të dalë nga trajnimet 6-mujore të qeverisë së re. Në vitin 1996, pas zgjedhjeve të kontestuara, të kritikuara masivisht nga mbarë komuniteti ndërkombëtar (që vetëm pak vite më parë e përkrahte Berishën), vendi u zhyt në një periudhë anarkie me forcimin e tipareve autokratike, ku dhuna dhe manipulimi zgjedhor e konsoliduan pushtetin e Berishës, teksa lideri i opozitës ishte në burg dhe nuk ekzistonte pothuaj asnjë lloj mekanizmi politik i pavarur për ta kufizuar pushtetin e Presidentit. Fischer & Schmitt theksojnë se kjo periudhë tregoi se përmbysja formale e komunizmit nuk nënkuptonte një përmbysje të mendësisë autokratike në strukturat qeverisëse. Shpresat për të krijuar një sistem demokratik ku të mbizotërojë kultura e konsensusit dhe dialogut midis qeverisë dhe opozitës morën goditjen finale në vitet 1996-97, kur pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të opinionit ndërkombëtar ndaj qeverisë për përsëritjen e zgjedhjeve, sollën si reagim triumfin e një kulture politike që funksiononte sipas rreshtimeve “ne” kundër “atyre”, dhe ku “tjetri” ose, në tërësi, mendimi ndryshe, vijon të perceptohet si rrezik imediat për pushtetin e parisë drejtuese, prandaj duhet heshtur, mënjanuar ose, sikurse ka ndodhur në disa raste, edhe eliminuar fizikisht. Këto tipare, fatkeqësisht, kanë vijuar të mbizotërojë në politikën shqiptare edhe sot, 35 vjet më vonë.
Sot, tradita autokratike ka vijuar në forma të reja. Lideri aktual ka monopolizuar pushtetin politik për më shumë se 12 vjet, duke vijuar të njëjtën traditë për të kontrolluar institucionet kryesore, median, administratën dhe mekanizmat e politikës së brendshme, duke ruajtur një influencë të ngjashme me atë të periudhës postkomuniste të Berishës. Kjo vazhdimësi historike tregon se sfida për ndërtimin e një demokracie funksionale në Shqipëri nuk ka qenë vetëm formale, por lidhet ngushtë me transformimin e kulturës politike dhe mekanizmave të kontrollit mbi pushtetin. Pavarësisht ndryshimeve në metodën dhe strategjinë e politikëbërjes në dekadat e fundit, mekanizmat e kontrollit dhe parlamentarizmi nuk kanë mundur ta parandalojnë shfaqjen e liderëve suprem të karakterizuar nga mungesa e llogaridhënies ndaj elektoratit dhe mungesën e demokratizimit të brendshëm në strukturat partiake.
Lëvizja e Dhjetorit 1990, megjithëse shënoi një hap të rëndësishëm drejt pluralizmit politik, nxori në pah se institucionet dhe shoqëria nuk ishin të përgatitura për një demokraci të konsoliduar. Studentët hodhën themelet e një hapjeje politike dhe orientimin e vendit kah Perëndimi, por mungesa e institucioneve të forta dhe e një shoqërie civile aktive lehtësoi kapjen e pushtetit nga elitat e reja politike.
Të ëndërrosh për integrim nën hijen e autoritarizmit konkurrues
Nëse në fillimvitet 2000’ ishte e qartë se në mungesë të reformave të thella, integrimi qe një objektiv i paarritshëm, ajo çka qeveritë e fundit kanë sjellë si risi është perceptimi se mjafton të projektohet së jashtmi imazhi i ndryshimit, pavarësisht se brenda vendit realiteti mund të jetë krejt tjetër. Për pasojë, shteti nuk premton më reforma radikale mbi përmirësimin e nivelit të demokracisë, pavarësinë e administratës, drejtësisë, arsimit, spitaleve, infrastrukturës etj. Përkundrazi, ai projekton në shoqëri një metarealitet ku çdo ditë po ndërtohen shkolla, rrugë, tunele, po riparohen qendrat mjekësore dhe spitalet, po përfundojnë punimet për rijetësimin e hekurudhës, po arrestohen njerëz që shpërdorojnë detyrën dhe, mbi të gjitha, po bëhet lufta më e madhe kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë që ky vend ka parë ndonjëherë. Duke vepruar kështu, ekzekutivi qeveris jo përmes dhunës, siç ka ndodhur në të shkuarën, por përmes projektimit të këtij mbirealiteti ku të gjithë punojnë për ta shtruar së bashku rrugën drejt Europës..
Mirëpo, nga ana tjetër e realitetit qëndron rreziku i fuqizimit të autoritarizmit. Autorët e shkencave politike, Steven Levitsky dhe Lucan Way, e kanë përdorur konceptin e autoritarizmit konkurrues për të shpjeguar prirjet autokratike të vendeve si Turqia, Serbia dhe Hungaria gjatë dekadave të fundit, ku pavarësisht pranisë formale të pluralizmit politik, opozita më tepër kryen funksionin e maskimit të autoritarizmit me dukjen e një demokracie sesa që ka mundësi reale për marrjen e pushtetit. Në fakt, edhe në vende që janë pjesë e BE-së, si Hungaria, Rumania dhe Bullgaria, janë vërejtur fenomene të tilla si shitblerja e votës (zgjedhjet e fundit për parlamentin europian në Bullgari janë rasti tipik që na tregon se as integrimi nuk mund ta parandalojë kthimin e votës në mall për t’u shitur), censura ndaj medias, përdorimi i administratës publike për qëllime elektorale apo kontrolli politik i sistemit të drejtësisë. Ajo çka e karakterizon autoritarizmin konkurrues është ekzistenca vetëm më nivel formal e institucioneve demokratike, zgjedhjeve dhe e opozitës, ndonëse në të vërtetë terreni është krejtësisht i pabarabartë dhe demokracia funksionon vetëm si fasadë e një autoritarizmi strukturor. Në të njëjtën linjë mund të identifikohet edhe sistemi politik në Shqipëri, ku Partia Demokratike, edhe nga kritikët ndaj qeverisë, më tepër konsiderohet si shkaku kryesor për marrjen e mandatit të katërt nga PS, sesa një opozitë që mund ta reduktojë sadopak pushtetin e pakufizuar të mazhorancës. Për rrjedhojë, ndër tiparet themelore të opozitës në sistemet politike të karakterizuara nga autoritarizmi konkurrues është se në vend se ta rrëzojë qeverinë, në fakt opozita në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi e legjitimon atë. Kësisoj, opozita ka një funksion kyç në ruajtjen e iluzionit të garës elektorale nën një sistem me tipare të theksuara autokratike.
Nëse e shohim në retrospektivë, është e qartë se, në ditët tona, komuniteti ndërkombëtar është shumë më pak “armiqësor” ndaj regjimeve të autoritarizmit konkurrues – të paktën për sa kohë rregullat e lojës së demokracisë formalisht vijojnë të zbatohen – sesa ishte në dekadën e parë pas rënies së Murit të Berlinit. Aktualisht autoritarizmi konkurrues është duke u përhapur edhe në shtetet anëtare të BE-së si rrjedhojë e mbështetjes në rritje për partitë populiste antiemigracion, madje edhe në vende si Hungaria dhe Polonia, të cilat në fillimvitet 2000 konsideroheshin si shtete demokratike, sipas të dhënave të Freedom House, gradualisht po zhvendosen drejt regjimeve hibride. Sipas politologut Steven Levitsky, “Vende si Shqipëria apo Rumania gjatë viteve 90’ e kishin të gjithë strukturën e shoqërisë të gatshme për të qenë një regjim i mirëfilltë autokratik dhe në mungesë të influencës së komunitetit ndërkombëtar ato me siguri do të ishin rikthyer të funksiononin zyrtarisht si autokraci”. Me kalimin e viteve, u bë e qartë se autoritarizmi konkurrues dhe zbatimi i parimeve formale të demokracisë mund ta sigurojë mbështetjen e Perëndimit po njësoj si një demokraci e mirëfilltë. Autorët kanë nënvizuar se regjimet e autoritarizmit konkurrues kanë një prirje për t’u përhapur me më tepër lehtësi në vendet post-komuniste të Europës Lindore, Qendrore dhe Juglindore. Në shumicën e këtyre shteteve, për shkak të nivelit të ulët të jetesës, mungesës së traditës demokratike, mungesës së zhvillimit të institucioneve dhe shtetit të së drejtës, shoqërisë civile ose sektorit privat, kushtet për konsolidimin e demokracisë ishin shumë të vështira për t’u krijuar. Mungesa e zhvillimit të institucioneve politike i bën ato më lehtësisht të kontrollueshme dhe më të prira për t’u përdorur elektoralisht nga partia në pushtet. Gjithashtu, kur abuzimet me pushtetin ndodhin, protestat e opozitës ose kërkesat për llogaridhënie bëhen krejtësisht të paefektshme, sikurse çfarëdolloj mekanizmi institucional që ndihmon në zbatimin e parimit demokratik check and balance. Megjithatë, autorët shpjegojnë se miratimi i komunitetit ndërkombëtar vijon të jetë një faktor legjitimiteti tejet i rëndësishëm dhe paraqet një ndër pengesat kryesore që i parandalon këto shtete për t’u rikthyer në një diktaturë tradicionale të ngjashme me regjimet autoritare të shekullit të njëzetë. I tillë është edhe rasti i Shqipërisë, ku negociatat me BE-në janë një mjet legjitimimi për demokracinë shumë më tepër sesa zgjedhjet elektorale. Mbi të gjitha, ëndrra e pasaportës europiane e lë krejtësisht në hije realitetin ku grupet kriminale në Shqipëri, siç duket nga raportimi i mediave ndërkombëtare, dukshëm e kanë përmirësuar rolin e tyre në trafikun ndërkombëtar të drogës. Takimi me liderët europianë e bën edhe më të imagjinueshme ëndrrën e integrimit dhe njëherësh krijon frymëzimin e nevojshëm që klientela politike e “pallatit të ëndrrave” ta rifillojë fushatën e seleksionimit dhe qërimit të shpresave për ndryshim në emër të mbarëvajtjes së mandatit të katërt.



